EKSKLUZIVE/ Krisja me Martinin e shtyu drejt largimit, lideri i Vllaznisë në shënjestër të dy rivalëve në Superiore
E ardhmja e Ardit Krymit te Vllaznia duket gjithnjë e më larg. Mesfushori 30-vjeçar, një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës në vitet e fundit, pritet të ndryshojë ambient gjatë kësaj merkatoje verore, duke i dhënë fund një bashkëpunimi të gjatë me kuqeblutë.

Ndonëse fillimisht largimi i tij u mendua si një hap për një eksperiencë të re në karrierë, duket se pas kësaj lëvizjeje fshihen edhe arsye të tjera që lidhen me raportin e tij me trajnerin Edi Martini. Marrëdhënia mes mesfushorit dhe teknikut shkodran nuk ka qenë nga më të qetat gjatë muajve të fundit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se mes palëve ka pasur disa mosmarrëveshje, të cilat me kalimin e kohës kanë krijuar një distancë të dukshme.
Situata u bë edhe më e qartë në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Elbasanit, kur Krymi u zëvendësua në pjesën e dytë të takimit. Në momentin e daljes nga fusha, kamerat kapën mesfushorin duke thënë disa fjalë në drejtim të pankinës, në një episod që nuk kaloi pa u vënë re. Nga ana tjetër, Martini zgjodhi të mos reagojë, duke ruajtur qetësinë, por pamjet e asaj situate lanë të kuptohej se raporti mes tyre kishte arritur në një pikë të vështirë. Për shumëkënd, ai moment duket se i vuri “kapakun” një marrëdhënie që prej kohësh kishte shfaqur krisje.
Në këto kushte, largimi i Krymit nga Vllaznia shihet si alternativa më e mundshme për të dyja palët. Futbollisti kërkon një sfidë të re në karrierë, ndërsa klubi duket i orientuar drejt një cikli të ri me trajnerin Martini në krye. Pas disa sezonesh ku ka qenë një nga liderët e skuadrës dhe një pikë referimi në mesfushë, aventura e tij në Shkodër duket se po shkon drejt fundit. Megjithatë, për një futbollist me cilësitë dhe eksperiencën e Krymit, interesimi në treg nuk mungon.
Sipas asaj që mësohet, dy klube të rëndësishme të Superiores, Teuta dhe Tirana, kanë nisur menjëherë lëvizjet për të siguruar shërbimet e mesfushorit. Të dyja skuadrat e shohin 30-vjeçarin si një përforcim me vlera të garantuara dhe një element që mund të bëjë diferencën në repartin e mesfushës.
Java në vazhdim pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Krymit. Interesi është konkret dhe kontaktet kanë nisur, ndërsa vetë futbollisti po shqyrton opsionin më të mirë për hapin e radhës në karrierë. Një gjë duket e sigurt, pas shumë vitesh me fanellën kuqeblu, rrugët e Ardit Krymit dhe Vllaznisë janë më pranë ndarjes se kurrë më parë.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













