Licensimet, heshtje edhe këtë vit! Vendimet s’bëhen publike se ndikojnë në garë, një absurditet me klubet shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2025 | 12:09

Licensimet, heshtje edhe këtë vit! Vendimet s’bëhen publike se ndikojnë në garë, një absurditet me klubet shqiptare

Ashtu si gjithmonë, edhe këtë vit procesi i licensimeve të klubeve shqiptare për të luajtur në Kupat e Europës ka kaluar në heshtje dhe në një mënyrë jotransparente.sdfgPrej kohësh, FSHF-së ka nisur këtë proces, i cili ka disa kritere që duhet të plotësohen, por praktika ka treguar që një pjesë e mirë e klubeve kanë parregullsi në këtë aspekt. Njoftimi i fundit i sektorit përkatës me këtë çështje pranë federatës e ka në muajin janar, ndërsa afati i klubeve për të dorëzuar dokumentacionin ishte më 31 mars. Pasi të shqyrtohen letrat, atyre do t’u komunikohet vendimi në lidhje me situatën që ndodhen.

Por, shpesh thuhet se FSHF nuk i publikon vendimet, ndryshe nga federata në Kosovë e cila është e hapur me opinionin sportiv, sepse nëse vendimet bëhen publike, diçka e tillë mund të ndikojë në garë. Një mendësi e prapambetur duke iu frikësuar skenareve për tolerim apo tërheqje të ekipeve që nuk janë licencuar, por kjo nuk e justifikon faktin që institucioni që organizon futbollin në vend, të mos tregohet transparent me tifozët. Nëse ndodh një skenar i tillë, komisionet përkatëse të veprojnë dhe të dënojnë autorët e shëmtisë, sepse kjo nuk është një mënyrë korrekte, duke e kaluar në heshtje dhe në fund të gjithë çuditen kur klube me emër në futbollin shqiptar, nuk licencohen për të luajtur në garat europiane.

SITUATA Një problem tjetër që fshihet pas procesit të licensimit, është shkelja e një syri që komisionet përkatëse, me bekimin e drejtuesve më të lartë, bëjnë për klubet. Aktualisht janë pesë kritere që duhet të plotësohen: sportiv, përgjegjësia sociale dhe mbrojtja e mjedisit, infrastruktura, administrata dhe personeli, ligjor dhe financiar. Në këtë të fundit, kemi klube, të cilët kanë ende detyrime të prapambetura, si edhe me merkato të bllokuar nga FIFA. Tirana këtë sezon, duke ditur situatën në renditje dhe merkaton e bllokuar, licensimi është problemi i fundit. Ndërkohë, rehat nuk ka qenë as Laçi dhe Dinamo, me këta të fundit që ndodhen në vendin e dytë dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe ka mundësi që të marrin pjesë në turet kualifikuese, por procesi i tyre i licensimit nuk dihet se në çfarë stadi është, edhe pse janë bërë takime mes palëve, federatës dhe zyrtarëve të klubeve, asgjë nuk është publikuar.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL