Largim i papritur nga Flamurtari, mesfushori që e nisi titullar lë vlonjatët. Zëvendësimi vjen… “online”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2025 | 21:59

Largim i papritur nga Flamurtari, mesfushori që e nisi titullar lë vlonjatët. Zëvendësimi vjen… “online”

Në një kohë kur dukej se largimet nga Flamurtari ishin mbyllur, vjen një divorc i papritur. Mesfushori Paulo Pjeshka mbyll pas dy vitesh aventurën te Flamurtari. Shkodrani u bë pjesë e Flamurtarit në sezonin 2023-2024. Në janar të vitit 2025 u huazua te Korabi për t’u rikthyer sërish në Vlorë. Largimi i tij ngjall habi pasi u aktivizua në ndeshjen e parë me Elbasanin qysh nga minuta e parë.

flamurtari

Por kjo do të ishte edhe ndeshja e fundit. Mësohet se Paulo Pjeshka nuk ka qenë në planet e trajnerit Karlos Garsia. Në Vlorë ai erdhi prej vëllait të tij Denis Pjeshka, kapitenit të Flamurtarit. Klubi vlonjat ka prishur kontratën me mesfushorin, duke e lënë të lirë dhe që për momentin mbetet pa ekip dhe nuk dihet destinacioni i tij. Për Paulo Pjeshkën, Flamurtari ishte skuadra e parë që luante jashtë Vlorës.

REAGIMI – Paulo Pjeshka konfirmon largimin nga Flamurtari. 22-vjeçari shpreh falënderime për drejtuesit e klubit, trajnerët, shokët e skuadrës dhe tifozët. “Nuk jam më pjesë e ekipit Flamurtari. Falënderoj për këto 2 vite presidentin, trajnerët, shokët e ekipit dhe tifozërinë vlonjate për mbështetjen. Suksese Flamurtarit”, shprehet Pjeshka.

NIGERIANI – Flamurtari duket se e ka zëvendësuar Paulo Pjeshkën. Klubi ka siguruar shërbimet e mesfushorit nigerian Pereouei Uellington Magbisa. Futbollisti ka firmosur online kontratën me klubin vlonjat dhe pritet të mbërrijë në Vlorë në ditët në vijim. Me afrimin e tij, kuqezinjtë synojnë të forcojnë mesfushën dhe të rrisin konkurrencën në skuadër për sfidat e ardhshme në Kategorinë Superiore.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL