Lajme të mira para Flamurtarit, rikthehet mesfushori për Ilir Dajën
Dinamo ka vijuar pasditen e djeshme me përgatitjet në prag të sfidës kundër Flamurtarit, e planifikuar të luhet të shtunën në orën 15:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Në prag të këtij takimi, ka pasur lajme të mira për Ilir Dajën nga infermieria pasi në stërvitje ka qenë edhe mesfushori Gudiabi, i cili në sfidën ndaj Tiranës, u largua i dëmtuar.

Ditët e para, Gudiabi ishte i dëmtuar duke u stërvitur individualisht, ndërkohë që dëmtimi duket se nuk ka qenë i rëndë, duke lejuar në këtë mënyrë që të bashkohet me grupin. Gudiabi zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë ndaj Tiranës, duke realizuar edhe golin e avantazhit, pavarësisht se në javët e para të kampionatit ishte në stol.
Kështu, Daja do të ketë në dispozicion skuadrën e plotë për sfidën me Flamurtarin, ku shtohen edhe forcat në sulm pasi i gatshëm do të jetë edhe Saliu Guindo, i cili po përgatitet fizikisht për të qenë në 100% e formës së tij për javën e gjashtë të Superiores.
PANORAMASPORT.AL













