Laho beson te kthesa e dibranëve: Korabi, vetëm tri pikët vlejnë ndaj Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2026 | 11:57

Laho beson te kthesa e dibranëve: Korabi, vetëm tri pikët vlejnë ndaj Apolonisë

Korabi rikthehet në shtëpi pas humbjes në Lushnjë 1-2 dhe tashmë ky rikthim kërkohet të përkthehet menjëherë edhe në rikthim te fitorja. Gjatë gjithë javës, skuadra dibrane ka qenë e përqendruar maksimalisht në përgatitjet për sfidën e së shtunës, që do të luhet në Peshkopi ndaj Apolonisë.

taulant marku dhe redon laho

Duke qenë vetëm dy pikë larg zonës së “playoff”-it, dibranët e konsiderojnë këtë përballje si vendimtare për vazhdimësinë. Në kampin e Korabit ka një mesazh të qartë, në shtëpi nuk lejohen më hapa fals. Me këtë motiv, skuadra është plotësisht e mobilizuar për të marrë maksimumin. Një nga zërat kryesorë të skuadrës, mesfushori 25-vjeçar Redon Laho, “dirigjenti” i lojës në mesfushës, ka dhënë mesazhin e qartë përpara kësaj sfide. “Ne do të kërkojmë rikthimin te fitorja për të qenë brenda objektivave që kemi vendosur që në fillim të sezonit, që është pjesëmarrja në 6-shen e parë të renditjes. Kjo mundësi mund të na krijohet edhe me tri pikët në këtë ndeshje.

Do të hyjmë në fushë për të fituar, nuk kemi çfarë të presim në ndeshjet tona në shtëpi. Kjo është edhe për të kënaqur tifozët tanë, të cilët janë gjithmonë të shumtë në Peshkopi. Sigurisht, kampionati shqiptar ka vështirësitë e veta, sidomos në këtë fazë ku çdo skuadër lufton për pikë. Por mentaliteti ynë është i qartë, dëshirë, vullnet dhe angazhim maksimal për të marrë maksimumin. Duhet të respektojmë kundërshtarin, por edhe veten tonë, për t’u rritur në nivelin që kërkojmë. Fokusi ynë është vazhdimësia dhe stabiliteti”, u shpreh Laho për “Panorama Sport”. Tashmë, gjithë vëmendja është te sfida me Apoloninë, ku Korabi kërkon jo vetëm reagimin, por edhe një hap konkret drejt objektivit sezonal.

A.DUSHKU- PANORAMASPORT.AL