Kur sporti përplas traditën me realitetin e ri shqiptar
Besnik Dizdari mbetet padyshim një prej figurave më të rëndësishme të gazetarisë sportive shqiptare, për të mos thënë më e rëndësishmja në kuptimin absolut të fjalës. Ai është një arkiv i gjallë i sportit tonë, një njohës i thellë i historisë së futbollit dhe një zë i respektuar për dekada.

Por duket se në përballje me realitetin e ri që ka kapluar sportin shqiptar, ai has vështirësi ta pranojë ose ta interpretojë atë në përmasat e duhura. Ai, e jo vetëm ai, mbeten nostalgjikë të historisë e të traditës. Për shembull, nuk e pranojnë dot që Apolonia, Besa, Lushnja apo Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës, Skënderbeu i Korçës konkurrojnë në Kategorinë e Parë apo të Dytë (në të Dytën e në të Tretën, sipas “metrit” të dikurshëm) të futbollit shqiptar. Dhe argumentet për këtë mospranim i gjejnë te tradita e dikurshme. Mirëpo ajo traditë është thjesht histori me të cilën nuk mund të shpjegohet dot realiteti i sotëm, i cili është katërcipërisht ndryshe nga e kaluara. Futbolli shqiptar i ditëve të sotme, e madje sporti në përgjithësi, nuk mund të kuptohet më pa financa. Ato janë bërë elementi përcaktues: o i ke, o nuk i ke. Dhe kjo bën gjithë diferencën.
Rastet e Egnatias, Vorës, Kukësit deri para dy vitesh, Bylisit apo edhe ringjallja e Dinamos, nuk janë thjesht suksese të stolisura me emra dhe fanella të reja, por janë histori të ndërtuara mbi investime konkrete, buxhete të qëndrueshme dhe menaxhim të mirë. Tradita në këtë kontekst mbetet një kujtim i vyer, por jo një udhërrëfyes funksional. Është nostalgji, frymëzim ndoshta, por nuk është argument që mund të sfidojë realitetin financiar që ka vënë themelet e sotme të konkurrencës. Nëse nuk ke para, nuk hyn dot në lojë. Dhe kjo nuk është as padrejtësi, as trishtim, ky është thjesht realiteti. Edhe në sportet e tjera, shembujt janë të shumtë.

Shpëtim Luku
Mjafton të përmendim Besëlidhjen në basketboll, një skuadër që dikur mezi përmendej, por që me financim serioz është kthyer në ekip dominues në basketbollin shqiptar. Në të kundërt, klube me “emër” historik, por pa buxhet, lëshojnë terren dhe zhyten në harresë. Prandaj, ndërkohë që respekti për figurat, si: Besnik Dizdari, Ahmet Shqarri, Edi Dilaveri e të tjerë mbetet i paprekur, është e domosdoshme që analiza e sportit të bëhet me sy drejt së tashmes dhe me mendje të hapur ndaj transformimeve që sjell koha. E veçanërisht tregu.
PANORAMASPORT.AL













