Kukësi humb në fund, ndalet te… shtylla. Canaj: I përmbysim në kthim, me tifozët
Gjashtëdhjetë sekonda nga një rezultat që mund të ishte impresionues. Kukësi pëson golin e vetëm të takimit, pikërisht në minutën e 89-të, atëherë kur vendësit për shkak edhe të presionit të madh, pasi luanin në fushën e tyre, ishin bërë edhe më të paqartë në lojën në sulm. Por u desh një hutim i mbrojtësve, të cilët nuk e larguan topin nga zona, që “xholi” i teknikut sllovak, Vladimir Vajs, Darbajev të shënonte golin e shpresës për kazakët e Kairat Almati. Gjithsesi, nisur nga kundërshtari, me një organikë më të pasur dhe buxhet shumë herë më të madh; nisur nga udhëtimi i gjatë drejt Kazakistanit të largët; nisur edhe nga ndryshimi i madh i klimës, duhet thënë se humbja minimale e skuadrës së Agim Canaj duhet marrë në konsideratë dhe sigurisht të jep shpresë të besosh te përmbysja në takimin e kthimit.
KAIRAT-KUKËSI 1-0
GOLI Darbajev 89′
KAIRAT ALMATI: Komish, Pliev, Gurman, Kislitsin, Smakov, Mishalik (Baitana 82′), Islamkan, Bakaev, Edigarjan (Darabajev 66′), Gohou, Isael (Knezeviç 66′). Trajner: Vladimir Vais
KUKËSI: Halili, Smajli, Shameti, Dushku, Hallaçi, Bicaj, Allmuça (Xheferson 19′), Musolli, Y.Hoxha, Lushtaku (Pinto 86′), Cikalleshi. Trajner: Agim Canaj
KARTONË TË VERDHË: Pliev 32′, Kislitsin 89′, Bakaev 90+2’/ Halili 89′
GJYQTARE: Rahim Hasanov, J.Abasov, R.Mamadov (Azerbajxhan)
Ndeshja – Takimi nis furishëm për vendësit, të cilët mundohen të gjejnë rrugën e rrjetës sa më shpejt që të jetë e mundur. Por mbrojtja me katër shtatlartë nga pas, e përbërë prej Smajlit, Dushkut, Bicajt dhe Hallaçit, si dhe një “digë” para tyre, Shameti nuk i jep mundësi të rrezikojë portën e Halilit. 45 minutat e para janë të ekuilibruara dhe vendësit do të mbahen mend më së shumti për një goditje të fortë të Pliev në minutën e 14-t, e cila u grushtuan në mënyrë mjeshtërore prej Halilit. Më pas pesë minuta Kukësi humbet Allmuçën. Lojtari kërkon zëvendësim pasi ka probleme me frymëmarrjen. Sakaq, ndeshja luhet më së shumti në mesfushë, me Kukësin që në rastin e parë që i jepet në minutën e 23-të, gati gjen rrugën e rrjetës. Një kombinim Cikalleshi-Hallaçi-Hoxha sjell gjuajtjen e këtij të fundit, e cila largohet nga porta falë ndërhyrjes së portierit Komik. Nuk mbaron me kaq, pasi Hoxha është në një ditë të mirë, teksa ndërmerr herë pas here inkursione dhe në një të tillë godet fort në afërsi të zonës me topin që po i drejtohet rrjetës, por që u ndal nga mbrojtësi Smakov. Loja flet për Kukësin, teksa vendësit do të kujtohen të shikojnë nga porta e Halilit vetëm në minutën e 34-t, kur Isael tenton me një goditje nga jashtë zone, topi kalon ngjitur me shtyllën.
Goli – Edhe fraksioni i dytë i lojës është fotokopje i të parit: Isael kroson nga goditja e këndit, Gohou në hyrje të zonës, gjuan, por topi bllokohet nga mbrojtësit. Sakaq, Cikalleshi ka rastin më të pastër të shënimit për Kukësin. Minuta e 52-të, sulmuesi gjuan fort nga 25 metra me topin që ndalet në tra. I pafat kavajasi, i cili nuk dekurajohet, sepse tetë minuta më pas ndërmerr një inkursion nga ato të vetat, duke shmangur si birila tre lojtarë. Dhe si gjithnjë, në momentin e fundit vonohet dhe në zonë dhe topi i merret nga një tjetër mbrojtës. Trajneri i vendësve, Vladimir Vajs (ka drejtuar Kombëtaren e Sllovakisë në Botërorin “Afrikë e Jugut 2010”), kupton se skuadra e tij vuan në mesfushë dhe sulm, ndaj ndërhyn menjëherë duke bërë dy lëvizje. Në lojë Darbajev dhe Knezeviç, që të dy lojtarë që më pas do rezultojnë si protagonistë në fitoren minimale të Kairatit. Në 20 minutat e fundit loja përqendrohet e gjitha në gjysmëfushën e Kukësit, me vendësit, të cilët edhe nën presionin e tifozëve po kërkonin dëshpërimisht golin e fitores. Nga ana tjetër, kanë përballë një Argjend Halili, i cili rezulton vendimtar në mjaft raste të pastra. Por vlonjati i portës kuksiane në minutën e 89-të, teksa nuk arrin të mbajë një top të gjuajtur drejt portës. Sakaq, të ngathët edhe mbrojtësit e Kukësit, të cilët nuk e larguan menjëherë topin dhe i dhanë mundësi Darbajevit që të gjuante drejt portës dhe të shënonte golin e vetëm të takimit.
Canaj: I përmbysim me tifozët
Trajneri i Kukësit, Agim Canaj, i shikon shanset për kualifikim 50 me 50, edhe pse skuadra e tij humbi në ndeshjen e djeshme ndaj Kairat. Në konferencën për shtyp pas takimit, kreu i pankinës kuksiane theksoi se në Tiranë do të jetë një tjetër histori. Ai analizoi sfidën, duke vënë në dukje faktin se dinte shumë pak rreth kundërshtarit. “Ne ishim të ndërgjegjshëm se Kairat kishte një gjendje më të mirë se ne, pasi është i angazhuar plotësisht në kampionatin e Kazakistanit, ndërsa Kukësi vjen pas pushimit. Në 25 minutat e para provuam të mos linim shumë hapësira. Fillimi ka qenë shumë i vështirë për ne, sepse Kairat sulmoi mirë dhe krijoi disa raste për të shënuar. Nëse do të kishim kuptuar më mirë lojën e kundërshtarit, atëherë ndeshja do të kishte një tjetër skenar. Megjithatë, më vjen shumë keq, pasi arritëm të përballonim shumë minuta dhe në fund e pësuam. Ne dinim shumë pak për kundërshtarin dhe kjo na i vështirësoi gjërat, por tani që kemi informacion të bollshëm rreth tij, çdo gjë mendoj se do të kalojë në favorin tonë”, – është shprehur fillimisht Canaj.
Thirrja – Në fund të konferencës për shtyp, trajneri i Kukësit u bëri thirrje tifozëve që të jenë të shumtë në ndeshjen e kthimit, që do të luhet më 10 korrik në “Qemal Stafa”. Ai beson se Kukësi me mbështetjen e tifozëve do ta kalojë turin e parë. “Kualifikimi? Në ndeshjen e kthimit shanset janë 50 me 50, edhe pse Kairat fitoi në të parën. Shpresojmë që bashkë me tifozët, të cilët janë lojtari ynë i 12-të, të arrijmë të përmbysim gjithçka. Me ndihmën e tyre do ta kemi më të lehtë”, – përfundoi Canaj, i cili debutoi me humbje në pankinën e skuadrës veriore. Gjatë edicionit të kaluar, Kukësi e nisi aventurën europiane me një barazim 1-1 ndaj Flora Talin në transfertë, ndërsa këtë herë ndaj Kairat, edhe pse rezistoi për 89 minuta, nuk e shmangu dot humbjen. Sidoqoftë, trajneri Canaj mendon kualifikimin e Kukësit.
Trajneri i Kairat: Kukësi u bë “mur”
Trajneri sllovak, Vladimir Vais, është i kënaqur nga loja e skuadrës së tij, Kairat. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, kreu i pankinës kazakistanase theksoi se skuadra e tij e pati shumë të vështirë ndaj Kukësit, pasi kundërshtari luajti me forca të shumta në mbrojtje. “Jam i kënaqur me lojën, pasi futbollistët dhanë zemrën në fushë. Për fat të keq, nuk arritëm ta zhbllokonim rezultatin që në fillim. Ne kemi luajtur kundër një Kukësi me shumë futbollistë në mbrojtje. Nuk është e lehtë të shënosh ndaj një kundërshtari që bëhet si mur. Gjithsesi, rezultati 1-0 mendoj se është i mirë dhe na favorizon për ndeshjen e kthimit. Sot (dje) bëmë disa gabime teknike, por e përsëris se jam i kënaqur që ne kemi arritur të fitojmë me një rezultat të ngushtë. Në takimin e kthimit do të jemi më të qetë”, – deklaroi Vais. I pyetur nga “Panorama Sport” për shanset e kualifikimit, sllovaku shtoi: “Mendoj se gjithçka është e hapur, asgjë s’ka përfunduar”.
Allmuça, vetëm 19 minuta në fushë: S’merrja dot frymë
Mesfushori i Kukësit, Igli Allmuça, luajti vetëm 19 minuta në takimin e djeshëm, teksa u zëvendësua me brazilianin Xheferson. Fillimisht u mendua se Allmuça ishte dëmtuar, por në fund vetë lojtari sqaroi se largimi i tij nga fusha kishte të bënte me një tjetër arsye. “Nuk u dëmtova, por isha si i bukosur në fushë. Kisha dy ditë që nuk po ambientohesha me klimën në Kazakistan, teksa dihet lartësia e madhe mbi nivelin e detit. Të them të drejtën, pata vështirësi në frymëmarrje dhe lodhje, prandaj dhe e pashë të arsyeshme t’i kërkoja trajnerit të më zëvendësonte. Për kundërshtarin ato kushte ishte shumë të mira, por ambientimi për ne ishte shumë i vështirë. Më vjen shumë keq që u goditëm në fund, por gjithsesi rruga për të kaluar turin është e hapur. Tashmë duhet të lë pas këtë aventurë dhe të mendojmë për ndeshjen e kthimit. Unë besoj se i kemi të gjitha mundësitë për të kaluar Kairatin”, – është shprehur Allmuça për “Panorama Sport”. Lojtari 33-vjeçar e nisi si titullar, por la fushën pa kaluar 20 minuta.
Hallaçi: Keqardhje e madhe, por turin do ta kalojmë ne
Kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaçi, mbetet optimist për kalimin e turit të parë, pavarësisht rezultatit të djeshëm në Almati ndaj Kairatit vendës. Në bisedën për “Panorama Sport” pas ndeshjes, mbrojtësi i majtë deklaroi, ndër të tjera, se skuadra bëri gjithçka për të mos pësuar dhe se nuk e meritonte atë fund. “Keqardhje e madhe për këtë rezultat. Ishim të pathyeshëm, por u ndëshkuam atëherë kur nuk e prisnim. Mendoj se luajtëm mirë, duke përballuar presionin e vazhdueshëm të kundërshtarit. Edhe kushtet e lojës ishin të vështira. Unë, ashtu si dhe shokët, patëm probleme me frymëmarrjen. Gjithsesi, kjo humbje nuk na demoralizon, pasi ka edhe një tjetër ndeshje. Unë falënderoj tifozët për interesimin e madh që treguan, teksa nuk patën mundësi të ndiqnin ndeshjen. Ju premtoj se do t’jua shpërblejmë në takimin e kthimit. Duhet të luajmë fort për të fituar dhe mendoj se jemi favoritë. Nëse sot (dje) do të kishim barazuar, atëherë kualifikimi do të ishte i sigurt”, – është shprehur Hallaçi.
Halili, i bindur te kualifikimi
Portieri i Kukësit, Argent Halili, priti pa fund në ndeshjen e djeshme, por minuta e 89- të ishte fatale, teksa pas një rrëmuje brenda zonës kazakistanasit shënuan. Në një bisedë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, vlonjati i portës kuksiane deklaroi i bindur se në ndeshjen e kthimit ekipi do të përmbysë gjithçka. “Përballuam një presion të madh gjatë gjithë lojës dhe menduam se ia dolëm, por fundi ishte ndëshkues për ne. Megjithatë, unë jam i bindur në kalimin e turit. Duhet vlerësim maksimal për ndeshjen e kthimit, pasi Kairati u paraqit më i fortë nga sa e mendonim. Me mundësitë që kemi, besoj se do të kualifikohemi, duke përmbysur rezultatin në takimin e kthimit në Tiranë”, – deklaroi Halili.
Mbledhja para ndeshjes, ja çfarë u tha Gjici lojtarëve
Pak orë para fillimit të ndeshjes, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka bërë një mbledhje me skuadrën. Ai ka kërkuar që t’u japë zemër të gjithë futbollistëve, duke kërkuar prej tyre që të luanin pa emocione, pavarësisht kundërshtarit. “Të hyni në fushë pa frikë dhe pa ndonjë emocion. Duhet të luajmë në bllok, si një skuadër e kompletuar. I kemi mundësitë për t’ia dalë. Unë kam shumë besim te juve. Janë shpenzime që askush në Shqipëri nuk i bën, ndaj besoj në rezultat pozitiv dhe pa eufori dhe ndonjë çorientim. Kujtoni vitin e kaluar se si ishim dhe deri ku shkuam. Jam i bindur te forcat e kësaj skuadre”, pat thënë Gjica. Mirëpo, fundi ishte i hidhur për Kukësin. E megjithatë presidenti nuk u zhgënjye totalisht, paçka rezultatit, ndaj ai i inkurajoji lojtarët për ndeshjen e kthimit në “Qemal Stafa”, më datë 10 korrik, duke besuar në kualifikim. “Ia dalim, duhet të besoni te kualifikimi”, – u ka thënë ai lojtarëve pas ndeshjes.
Kukësi udhëton gjithë natën
Edhe pse Kazakistani është i largët dhe ndeshja u zhvillua në darkë me orën lokale, delegacioni i Kukësit nuk ka qëndruar më shumë se 30 minuta në Almati. Direkt pas takimit, lojtarët vetëm sa kanë darkuar dhe më pas kanë marrë menjëherë rrugëtimin drejt Shqipërisë. Skuadra është rikthyer në Rinas pas mesnate dhe sot është programuar që të jetë pushim, natyrisht për shkak të lodhjes nga udhëtimi i gjatë. Sipas informacioneve, skuadra do të nisë vetëm nesër përgatitjet për takimin e kthimit, i cili do të luhet në “Qemal Stafa” më 10 korrik.
Nga Kazakistani, JONUZ HALLAÇI













