Kotobelli karikon Teutën: Ndaj Elbasanit vetëm për fitore
Në prag të një sfide shumë të rëndësishme për ecurinë e kampionatit, Teuta po mbyll përgatitjet për ndeshjen ndaj Elbasani, me objektivin e qartë për të marrë maksimumin e pikëve. Për këtë ndeshje mungon mbrojtësi Jazxhi, i pezulluar nga kartonët.

Në një moment vendimtar të sezonit, ku çdo ndeshje mund të peshojë shumë në renditje, kapiteni i durrsakëve, Blerim Kotobelli, ka folur për “Panorama Sport” rreth atmosferës në skuadrën durrsake, gjendjen e grupit dhe pritshmëritë nga kjo përballje delikate. Sipas kapitenit të Teutës, skuadra ka kaluar një javë pozitive dhe është përgatitur me përqendrim maksimal për të përballuar një kundërshtar të fortë si Elbasani. “Atmosfera në skuadër është shumë pozitive. Kemi punuar mirë gjatë gjithë javës dhe djemtë janë maksimalisht të fokusuar. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë, por jemi të përgatitur për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të marrë atë që kërkojmë nga kjo sfidë”, u shpreh fillimisht Kotobelli.
Dueli me Elbasanin
Kapiteni i durrsakëve vlerësoi kundërshtarin, duke theksuar se Elbasani ka treguar cilësi gjatë këtij sezoni dhe nuk duhet nënvlerësuar në asnjë moment. “Elbasani është një skuadër që ka treguar vlera gjatë kampionatit. Ka lojtarë cilësorë dhe është një ekip i organizuar mirë, ndaj duhet respekt maksimal. Megjithatë, ne do të hyjmë në fushë për të imponuar lojën tonë dhe për të bërë maksimumin që pikët të mbeten te ne”. Kotobelli theksoi se arma më e fortë e Teutës në këtë moment është grupi dhe fryma e bashkëpunimit mes lojtarëve, elementë që sipas tij mund të bëjnë diferencën në ndeshje të tilla. “Pika jonë më e fortë është grupi. Kemi unitet dhe luftojmë për njëri-tjetrin në çdo moment. Përveç kësaj, kemi punuar shumë edhe në aspektin taktik e fizik dhe besoj se kjo do të reflektohet në fushën e lojës”.
Mesazhi i kapitenit
Si kapiten, ai ka edhe përgjegjësinë për të mbajtur skuadrën të motivuar dhe të përqendruar para sfidave vendimtare. Mesazhi i tij për shokët e ekipit është i qartë, përkushtim maksimal dhe disiplinë absolute. “Para ndeshjeve të tilla u them gjithmonë shokëve të skuadrës që duhet të japim maksimumin dhe të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri në të fundit. Ndeshje të tilla fitohen me shpirt gare, disiplinë dhe sakrificë”. Sa i përket pritshmërive për përballjen ndaj Elbasanit, Kotobelli pret një duel të fortë dhe të luftuar, por objektivi i Teutës mbetet vetëm fitorja. “Pres një ndeshje të fortë dhe shumë të luftuar, por objektivi ynë është i qartë: duam tre pikët. Do të japim gjithçka në fushë për të kënaqur tifozët tanë. I ftoj të jenë pranë nesh si gjithmonë, sepse mbështetja e tyre na jep motivim shtesë dhe është shumë e rëndësishme në ndeshje të tilla”. Teuta mbyll kështu përgatitjet për sfidën ndaj Elbasanit, me besimin se mbështetja e grupit dhe e tifozëve mund ta çojë skuadrën drejt një tjetër rezultati pozitiv në një moment vendimtar të sezonit.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













