Korabi synon tri pikët në “Roza Haxhiu”, mbrojtësi Alkollari premton maksimumin
Korabi po vijon përgatitjet për takimin e radhës, që do ta zhvillojë nesër në Lushnjë kundër skuadrës së vendit të fundit në tabelë, me synimin e qartë për të fituar këtë përballje në një transfertë delikate. Reagimi pozitiv i skuadrës gjatë fazës së fundit të kampionatit duket se po jep frytet e një pune intensive, si nga stafi teknik ashtu edhe nga drejtuesit e klubit, të cilët arritën ta përforcojnë grupin me afrime cilësore gjatë merkatos së janarit.

Dibranët synojnë realizimin e objektivave në pesë ndeshjet e mbetura, duke nisur nga kjo transfertë në Myzeqe, me qëllimin për t’u renditur mes gjashtë vendeve të para. Një nga afrimet më cilësore që duket se po shpërthen që në ndeshjet e para është Alesio Alkollari. Futbollisti 22-vjeçar, i lindur në Itali dhe me përvojë në Gjermani, mban edhe shtetësi shqiptare. Ai iu bashkua Korabit gjatë merkatos së dimrit dhe në dy ndeshjet e para, si dhe në sfidën e fundit kundër Vorës ku realizoi një gol fantastik, ka treguar vlerat e tij në krahun e majtë. Edhe pse aktivizohet si mbrojtës, Alkollari po kontribuon ndjeshëm edhe në fazën sulmuese me asistet e tij. Lojtari shihet si një element premtues për të ardhmen, ndërsa përvoja e fituar në kampionatet rajonale gjermane pritet të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën dibrane.
Në prag të ndeshjes kundër Lushnjës, Alkollari u shpreh për “Panorama Sport”: “Kam ardhur te Korabi pas kontratës që nënshkrova më 30 janar. Jam shqiptar, pavarësisht se kam lindur në Itali. Vij nga një kampionat lokal gjerman, ku disiplina sportive është shumë e fortë dhe kjo më ka ndihmuar shumë. Kampionatin e Kategorisë së Parë nuk e njoh shumë, por dy ndeshjet e para më kanë ndihmuar të përshtatem me skuadrën dhe grupin. Kundërshtari ynë ndodhet në vendin e fundit, por kjo nuk do të thotë se do të jetë një ndeshje e lehtë. Korabi ka objektiv të qartë renditjen në gjashtë vendet e para dhe për këtë duhet ta kalojmë këtë transfertë me tri pikë”, deklaroi Alkollari.
Abdulla Dushku-PANORAMASPORT.AL













