Korabi nuk dorëzohet për objektivin, trajneri Deliallisi: “Play off”-i ende në dorën tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2026 | 19:03

Korabi nuk dorëzohet për objektivin, trajneri Deliallisi: “Play off”-i ende në dorën tonë

Barazim pa gola në përballjen e javës së 30-të në Kategorinë e Parë mes Korabit dhe Apolonisë, takim i zhvilluar në Peshkopi. Pavarësisht pritshmërive dhe interesimit të lartë, sfida nuk prodhoi fitues, duke lënë të pandryshuar diferencën prej 6 pikësh mes dy skuadrave, të cilat ruajtën edhe pozicionet respektive në renditje.

DELIALLISI KORABI

Korabi ngjitet në vendin e 7-të me 33 pikë, vetëm 2 më pak se Besa e vendit të gjashtë, pozicion që në fund të sezonit siguron pjesëmarrjen në zonën “play-off”. Pas ndeshjes, trajneri i Korabit, Alfred Deliallisi, u shpreh për “Panorama Sport” se skuadra e tij meritonte më shumë nga ky takim, por theksoi se objektivi mbetet ende i arritshëm. “Barazim pa gola, edhe pse dëshironim më shumë. Korabi mbetet brenda objektivave. Jemi shumë pranë zonës së 6-shes dhe përderisa matematika na mban në lojë, nuk heqim dorë.

Kishim besim se mund ta fitonim këtë ndeshje ndaj një rivali që erdhi më shumë për t’u mbrojtur dhe për të marrë një pikë. Apolonia u mbrojt gjatë gjithë kohës dhe nuk donte të rrezikonte humbjen, çka na krijoi vështirësi në fazën sulmuese. Megjithatë, ky Korab është ndërtuar për të arritur objektivin, që është një vend në 6-shen e parë. Diferenca me vendin e katërt është vetëm 5 pikë, ndërsa jemi shumë pranë edhe vendit që synojmë. Kjo tregon se objektivi ynë është plotësisht i realizueshëm”, u shpreh Deliallisi.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL