Korabi, i karikuar për tri pikët ndaj Kastriotit. Laho zbulon rolin: Po më pëlqen të luaj edhe si qendërmbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2026 | 12:13

Korabi, i karikuar për tri pikët ndaj Kastriotit. Laho zbulon rolin: Po më pëlqen të luaj edhe si qendërmbrojtës

Skuadra e Korabit ka intensifikuar stërvitjet në Tiranë, duke u përgatitur për takimin e radhës. Lojtarët do të udhëtojnë një ditë para ndeshjes (sot) drejt Peshkopisë, në mënyrë që të jenë sa më të freskët për sfidën e së shtunës. Nga dibranët kërkohet patjetër fitorja, pasi llogaritë e drejtuesve nuk po dalin sipas pritshmërive të fillimsezonit.

taulant marku dhe redon laho

Për të arritur objektivat, skuadra është e motivuar maksimalisht për përballjen ndaj Kastriotit. Merkatoja e janarit e ka forcuar ndjeshëm Korabin, duke e bërë ekipin më konkurrues. Në javën e kaluar në Burrel, dibranët u penalizuan nga mungesat e dy lojtarëve kyç, Serxho Xhika dhe Irdi Morina, ndërsa rikthimi i tyre pritet të rrisë edhe më shumë besimin për trepikëshin në shtëpi. Në mungesë të tyre, përgjegjësi të mëdha mori Redon Laho, i cili në atë ndeshje shkëlqeu në rolin e ri si qendërmbrojtës i djathtë, duke u treguar i pakalueshëm dhe duke fituar shumicën e dueleve me sulmuesit matjanë. Laho iu bashkua zyrtarisht Korabit këtë sezon, pasi erdhi nga Luzi 2008.

Formimi i tij si futbollist është zhvilluar kryesisht në Austri, ku për katër vite radhazi (2019–2023) u aktivizua me skuadra si “SC St. Pölten”, “Spratzern II”, “Haarland” dhe “SC Lilienfeld”. Më pas ai u transferua te Dinamo U-21 dhe më vonë te Luzi 2008, përpara se të vishte fanellën e Korabit. Në lidhje me derbin e funit në Burrel, për “Panorama Sport”, Laho u shpreh: “Ndeshja në Burrel ishte shumë e vështirë, jo vetëm për shkak të kundërshtarit të fortë dhe të përgatitur mirë, por edhe për shkak të terrenit jo të përshtatshëm, që na e vështirësoi lojën. Jam munduar ta kryej sa më mirë atë rol të ri, që e luaja për herë të parë, me shumë përkushtim dhe duket se më pëlqeu.

Gjithsesi, unë preferoj rolin e organizatorit, ku ndiej se jap më shumë”. Sa i përket sfidës së radhës ndaj Kastriotit, Laho mbetet realist, por edhe optimist për kthimin e Korabit te fitorja. “Mendoj se do të jetë sërish një ndeshje e vështirë, pasi kundërshtari është edhe më i fortë se Burreli. Megjithatë ne luajmë në fushën tonë, ku i dimë mirë sekretet e saj, dhe besoj se Korabi do të rikthehet te fitorja. Ne kërkojmë patjetër tri pikët”, përfundoi Laho.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL