Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport”, sulmuesi që ka luajtur në Francë dhe Turqi i bashkohet Elbasanit
Klubi i Elbasanit ka një futbollist më shumë në dispozicion për pjesën e mbetur të sezonit, pasi tashmë në radhët e verdhebluve është bashkuar edhe 21-vjeçari nga Senegali, Ibrahima Diallo.

“Panorama Sport” raportoi ekskluzivisht se verdheblutë arritën marrëveshjen për afrimin e sulmuesit të krahut të majtë i cili erdhi te Elbasani nga radhët e ekipit të vendlindjes së tij, Jaraf. Klubi verdheblu kishte lënë vende bosh në listën e federimeve për të marrë lojtarë edhe pas mbylljes së merkatos.
Diallo ka luajtur më parë në Francë me skuadrën e Valensien, si dhe në Turqi me Gëztepe. Pozicioni natyral është ai i sulmuesit të majtë, por afrikani mund të luajë edhe në krahun tjetër. Ai ka zbarkuar në vendin tonë që disa ditë më parë dhe që dje është bërë pjesë e verdhebluve pasi ka nënshkruar marrëveshjen me ta.
PANORAMASPORT.AL













