KOMENT/ Skandal te Lushnja, miliona u shpërdoruan dhe ekipi drejt rënies
Të biesh për mungesë fondesh, kjo pranohet. Por të akordosh fonde goxha të majme dhe të biesh, është tallje dhe dhemb shumë në shpirt. Barazimi me Besën ishte një hap tjetër drejt Kategorisë së Dytë. Trajneri Bano nuk arriti asgjë me ekipin e Lushnjës, ndërsa drejtuesit janë fshehur, të larguar në drejtim të paditur.

Sot nuk dihet fare kush janë aktualisht drejtuesit e KF Lushnjës. Lushnja nuk ra nga kategoria dje. Lushnja ka muaj, ndoshta vite, që po bie çdo javë, çdo ndeshje, çdo vendim të gabuar. Barazimi me Besën ishte vetëm firma e fundit mbi një dështim të paralajmëruar. Dhe le ta themi troç: kjo nuk është histori mungese fondesh. Është histori keqmenaxhimi, egoje, kapriçosh dhe klanesh që e kanë kthyer klubin në pronë private, kur në fakt ai është pasuri e qytetit. Si është e mundur që përballë një ekipi që luan pa disa titullarë, Lushnja nuk arrin të fitojë? Lushnja nuk shkon fare te porta kundërshtare, nuk gjuan asnjëherë në portë. Shfaqet në sulm me një lojtar që, me topin në këmbë, nuk di ku ta çojë derisa e humb. Lojtarët luajnë si agallarë, jo si profesionistë të paguar nga klubi. Pagesat mund të vonohen, por ato merren. Si është e mundur që lojtarë që duhet të mbajnë peshën e fanellës, ngrohin stolin? Kush i merr këto vendime dhe mbi çfarë logjike?
Trajneri Bano erdhi si zgjidhje, por nuk solli rregull, nuk solli disiplinë, nuk solli identitet. Dhe po, tifozët e kërkuan, por jo për këtë fund. Jo për një ekip pa shpirt, pa organizim dhe pa përgjegjësi. Bano e pranoi përgjegjësinë dhe duhet ta mbajë atë. Po drejtuesit? Heshtje. Fshehje. Asnjë dalje publike, asnjë sqarim, asnjë përgjegjësi. Sikur kjo të mos ishte puna e tyre. Sikur kjo rënie të ishte fat dhe jo pasojë direkte e vendimeve të tyre. Duket sikur thonë: “Deshët Banon? Mbajeni tani dhe bëni ç’të doni”. Po fondi? 500 apo 600 milionë – kush i menaxhoi? Ku shkuan? Çfarë sollën për ekipin? Sepse në fushë nuk u pa as investim, as projekt, as seriozitet. U fol për fusha të reja, për akademi, për investime jashtë skuadrës së parë. Por realiteti është ndryshe: as fusha në Plug nuk është paguar, as ajo pranë spitalit nuk ka përfunduar, ndërsa akademia praktikisht nuk ekziston. Në ekipet e moshave paguajnë vetë prindërit dhe rezultatet mungojnë. Mjaft më me justifikime. Mjaft me lojëra prapaskenash. Ky klub nuk është i askujt për t’u përdorur dhe braktisur sipas qejfit. Kërkesat janë të qarta:
-Transparencë totale për financat.
-Përgjegjësi publike nga drejtuesit.
-Ristrukturim i menjëhershëm i klubit.
-Respekt për fanellën dhe për tifozët.
Sepse Lushnja nuk është thjesht një ekip që bie nga kategoria. Lushnja ka përdorur fonde publike dhe të përdorësh paratë e qytetarëve për të rënë nga kategoria është jo vetëm tallje, por edhe një goditje ndaj dinjitetit. Dhe këtë herë, askush nuk duhet të fshihet më. Kush janë drejtuesit dhe përdoruesit e fondeve të KF Lushnjës? Asgjë nuk harrohet… asgjë.
Shënim: Komenti është bërë nga faqja “Sport Klub Lushnja” në “Facebook”
PANORAMASPORT.AL













