Koment/ “Sherri” Zguro-Çela nuk i shërben Pogradecit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2026 | 12:12

Koment/ “Sherri” Zguro-Çela nuk i shërben Pogradecit

Nga Redi Dandallaku

Nuk mjaftoi humbja ndaj Laçit, por menjëherë pas saj kanë qarkulluar informacione se në analizën e zhvilluar ditën e martë, tonet mes trajnerit dhe kapitenit nuk kanë qenë të qeta, ku lojtari mësohet t’i jetë drejtuar: “Unë të solla këtu”. Ndoshta kritikat e trajnerit nuk janë pritur mirë nga lojtari dhe kanë sjellë këtë reagim emocional.

EMILJANO ÇELA dhe kapiteni zguro

Unë jam gjithmonë dakord me lojtarët rebelë, me rebelimin në thelb, pasi mund të shërbejë si një formë demokracie e brendshme në klub, por kjo vlen kur kemi të bëjmë me “diktatura” trajnimi apo sjellje arrogante. Në këtë rast, nuk di nëse është apo jo e tillë. Zguro njihet për situata të tilla në ekipet ku ka luajtur, por në këtë moment duhet të shtrëngojë dorën me Çelën, për të mirën e skuadrës. Kjo zhurmë nuk duhet të kishte ndodhur në një moment kaq të vështirë për ekipin, por le të shpresojmë që të shërbejë për mirë, ndoshta e shkund skuadrën përpara “play off”-it. Ama, nëse Zguro ka ndërhyrë te presidenti për të sjellë Çelën si trajner, atëherë ky i fundit duhet t’i kishte marrë parasysh pasojat. Duke njohur temperamentin impulsiv të të dyve, një përplasje e tillë ishte e pritshme.

Të analizojmë Çelën. Vihet re se nuk është hera e parë që lindin situata të tensionuara mes trajnerit dhe lojtarëve. Raste të ngjashme ka pasur edhe më parë gjatë këtij sezoni. Ndoshta trajneri ka të drejtë, ndoshta lojtari, por konfliktet e përsëritura brenda një periudhe kaq të shkurtër nuk janë shenjë e mirë. Praktika e pezullimeve nga Çela mund të jetë e dobishme kur lojtarët dalin nga binarët, por nëse kthehet në normë, duhet rishikuar.

Në këtë fazë të sezonit, çdo tension i brendshëm duhet menaxhuar me kujdes. Situata të tilla nuk i shërbejnë stabilitetit të skuadrës, sidomos përpara ndeshjeve të “play off”-it. Duke parë taktikën dhe rezultatet në ndeshjet e rëndësishme, Çela nuk ka arritur rezultatet e pritshme. Sezoni ende nuk mund të quhet dështim, pasi është “play off”-i, por gjithsesi jam i mendimit se kjo taktikë e aplikuar nga trajneri vështirë se e çon skuadrën në Superligë. Megjithatë, të mos i biem në qafë pa mbaruar sezoni, përderisa gjithmonë ka shpresë dhe kurrë nuk thuhet kurrë. Vendimtare duhet të jetë ndërhyrja e presidentit Lilo, e veteranëve të skuadrës dhe e njerëzve pranë klubit për të qetësuar situatën. Të paktën, Çela duhet të vazhdojë deri në fund të sezonit, ndërsa për sezonin tjetër mbetet e hapur, sidomos nëse dështon ngjitja në Superligë. Zguro, si djalë liqeni, duhet të bëjë një “mea culpa”, për hir të skuadrës, fanellës dhe tifozëve. Nëse do të mbahet mend si lider dhe jo si problematik, atëherë të marrë skuadrën për dore dhe të përmbushë premtimet e dhëna. Kjo situatë i shërben vetëm kundërshtarëve dhe dëmton imazhin e klubit.

Si përfundim: Mendoj se Ardian Mema duhet parë si një mundësi rikthimi në drejtimin e Pogradecit, pasi është një nga trajnerët më të suksesshëm në vitet e fundit. Ai e njohu mirë natyrën e lojës liqenore, evidentoi elementët vendas dhe e riktheu besimin te skuadra, i cili para ardhjes së tij ishte përtokë. Presidenti duhet ta konsiderojë këtë opsion. Madje, mund t’i besohet drejtimi total i akademisë një strukture me emra si Ardian Abazaj, Saimir Jahajt (që po udhëheq drejt titullit kampion U11), Jurgen Gjata dhe trajnerit të ri që ka spikatur, Griseld Çekiçi. Si zëvendëstrajner i ekipit të parë dhe njëkohësisht koordinator i akademisë, të shihet mundësia e vendosjes së Ben Mahmutaj, në bashkëpunim me Mariel Grazhdanin. Trajnerë të tjerë si Kreka dhe Topçiu duhet të jenë në planet afatgjata të klubit.

PANORAMASPORT.AL