Për Eduard Dervishaj, Igli Tare e të tjerë që na përfaqësojnë me dinjitet, por pa zhurmë
Nga SHPËTIM LUKU
Eduard Dervishaj, dikur Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, është sot një figurë me përgjegjësi të lartë në Federatën Spanjolle të Futbollit. Prej vitesh, ai kontribuon në një prej strukturave më prestigjioze të sportit europian, dhe së fundmi është ngarkuar me një detyrë të jashtëzakonshme: organizimin e Kampionatit Botëror të futbollit 2030 në Spanjë, një arritje që në çdo vend tjetër do të kishte shkaktuar jehonë kombëtare dhe krenari të gjerë, por që në Shqipëri kaloi pothuajse pa zë.

Në të njëjtën linjë vlerësimi është edhe kandidatura e Igli Tares për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Milanit, një tjetër dëshmi e kapacitetit të elitës shqiptare për të qenë pjesë e vendimmarrjes në strukturat më të larta të sportit botëror. Dhe në nivelin e arritjeve e të sukseseve të tyre ka edhe mjaft shqiptarë të tjerë në vende të ndryshme të botës.

Në art, në biznes, në mjekësi, në sport e kudo. Por pse këto arritje nuk përkthehen në ngjarje publike të vlerësuara në mënyrë të dukshme në Shqipëri? Fatkeqësisht, jemi përballë një fenomeni të përsëritur: media shqiptare, në vend që të ushqejë kulturën e meritës dhe të vlerësimit të elitës, zgjedh të promovojë një protagonizëm të zbrazët, të mbështetur në zhurmë dhe jo në përmbajtje.
Figura që vërtet përfaqësojnë vlera – profesionalizëm, integritet, sukses ndërkombëtar – mbeten jashtë skenës publike shqiptare. Në vend të tyre, hapësirat zihen nga personazhe pa produkte reale, por me aftësi për të prodhuar spektakël. Kjo nuk është thjesht padrejtësi ndaj individëve si Eduard Dervishaj, Igli Tare e të tjerë të nivelit të tyre, por është një simptomë e një shoqërie që po e humbet busullën e orientimit drejt vlerës.
Është një humbje për shoqërinë shqiptare, që nuk arrin të identifikojë modelet e duhura për t’u ndjekur. Dhe është një pengesë për të rinjtë që, në mungesë të frymëzimit real, rrezikojnë të ndjekin rrugë të gabuara. Ka ardhur koha që mediat shqiptare të rifokusohen te substanca dhe jo forma, te përmbajtja dhe jo shfaqja. Dhe është po ashtu koha që shoqëria shqiptare të mësojë të bëjë dallimin mes atyre që bëjnë emër dhe atyre që bëjnë vetëm “fytyrë”.
PANORAMASPORT.AL













