Pëllumbat e KOKSH-it…
KOKSH i ka dërguar një kërkesë Doganës së Qafe Thanës që të bllokojë një kamion që dërgon pëllumba jashtë Shqipërisë, për llogari të një shoqate që bën aktivitet pa lejen e Federatës së Pëllumbave të Shqipërisë.
Tani që pëllumbat janë sport dhe kanë një federatë në Shqipëri dhe që janë edhe anëtarë të KOKSH, me votë njësoj si futbolli, basketbolli, volejbolli, etj., kjo përbën një lajm më vete. Por, problemi nuk është ky. KOKSH ka marrë përsipër të bëjë avokatin e një federate, sepse saj i është shkelur ekskluziviteti i dhënies së lejes për çdo anëtar të saj për të bërë aktivitet. Gallata është që KOKSH për të mbrojtur interesat e një federate, nuk ka nevojë t’i kërkojë një dogane të bllokojë një kamion qe transporton pëllumba duke specifikuar edhe targën e kamionit. Këtë problem e zgjidh gjykata, ku federata duhet të padisë shoqatën përkatëse. Se çfarë pune ka KOKSH me doganën dhe dogana me kamionin që transporton pëllumbat, e dinë vetëm ata që nuk dinë ku kanë “pëllumbat” e tyre… Po problemi është edhe më absurd.
Ky KOKSH që merret me kamionin e një shoqate, është po ai që shkel ligjin haptazi duke organizuar aktivitet në basketboll e volejboll në atë famëkeqin projekt të “ekipeve sportive të shkollave” të cilat nuk janë as shoqata dhe as shoqëri tregtare, si të vetmet mënyra organizimi e funksionimi të strukturave sportive, që detyron ligji sportit, kodi civil e ligji për OJF. Këto “ekipe sportive” nuk janë krijuar si shoqata, nuk janë regjistruar në gjykatë e nuk janë regjistruar në federatat përkatëse. Këto janë kërkesa ligjore të pa negociueshme, nëse do të bësh aktivitet sportive në të gjitha nivelet në Shqipëri.
Ndërkohë, KOKSH organizon aktivitete në basketboll e volejboll duke anashkaluar federatat, pa e patur këtë formë aktiviteti të përcaktuar në statutin e tij. E vendosi në statut tani në vitin 2026, pasi kishte 4 vite që bënte aktivitet jo statutor që është një shkelje tjetër e rëndë e Ligjit të Sportit. Tani që një institucion t’i kërkojë një dogane të bllokojë një kamion se kamioni ka shkelur ligjin, ndërkohë që vetë e trajton Ligjin e Sportit si paçavure kjo flet shumë për seriozitetin e KOKSH dhe sportit që ai pretendon se i bëhet “ombrellë”. Pastaj përdorimi i termit “ombrellë”, i kopjuar si shumë terma të tjerë, pa ditur as se çdo të thotë e si materializohet, është një tjetër problem. Sidoqoftë, KOKSH, pasi të zgjidhi problemin e pëllumbave që fluturojnë pa lejen e tij, të shikojë “pëllumbat” e vet… Sepse siç thonë tironsit: “duket sikur i ka lëçu në drejtim të paditur…”. Nëse, realisht, i ka patur ndonjëherë…
PANORAMASPORT.AL













