Koment/ Fondi rezervë për ahengje, shtojini edhe projektin fantazmë të KOKSH dhe milionat për Xhiron e Italisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2026 | 15:48

Koment/ Fondi rezervë për ahengje, shtojini edhe projektin fantazmë të KOKSH dhe milionat për Xhiron e Italisë

Nga Prof. Asoc. Dr Artan Pogoni

artan pogoni

Diçka në lidhje me këtë koncert, për të cilin qeveria ka dhënë mbi 4 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Po dëgjoj, shikoj dhe kuptoj një reagim dhe zemërim të madh, si në rrjetet sociale, ashtu edhe në biseda të zakonshme me njerëz të ndryshëm, se pse dhe si po shpenzohen këto miliona euro! Ndërkohë, vendi ynë shpesh përballet me përmbytje dhe ne s’paskemi para të rimbursojmë njerëzit apo të ndërtojmë diga dhe kanale, që këto fatkeqësi të minimizohen në dëmet që shkaktojnë!

Çdo vit shikojmë situata deri apokaliptike zjarresh, madje edhe humbje jetësh njerëzore, dhe shteti s’ka mjete zjarrfikëse që t’u vijnë në ndihmë të prekurve! Në dijeninë time, akoma s’janë mbyllur apo dëmshpërblyer të prekurit nga tërmeti, sepse shteti, sipas asaj që thuhet, nuk ka më fonde për njerëzit e tij! Të mos harrojmë dëmet ekonomike dhe njerëzore që pësuan qytetarët e këtij vendi nga pandemia, rast nga i cili qeveritarët vetëm u majmën me lekë, duke abuzuar pa fund.

Asnjëherë nuk është bërë transparencë për të kuptuar se sa nga këto fonde kanë shkuar ndër vite në ndihmë të njerëzve, të cilët, sipas këtyre që drejtojnë vendin, u kanë dhënë edhe votën! Sepse, me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, fondi rezervë i Këshillit të Ministrave duhet të përdoret kryesisht për ngjarje dhe fatkeqësi natyrore. Ndërkohë, ne kemi që nga viti 2022 e këtej që kemi denoncuar shpenzimet marramendëse nga ky fond, deri tani, për periudhën 2022–2026, mbi 16 milionë euro për projektin fantazmë dhe krejt të padobishëm, që ky shtet ia jep KOKSH-it për gjoja masivizimin e sportit.

Shtoji tani këtij fondi edhe 4.2 milionë euro të dhëna për këtë koncert, po nga ky fond, dhe bëhen më shumë se 20 milionë euro. Po t’i shtojmë edhe rreth 10 milionë euro të Xhiros së Italisë, u bënë 30 e ca milionë… Atëherë, le të na thonë inxhinierët dhe ekonomistët se çfarë pune mund të ishte bërë me këto para, nëse do të shkonin për diga dhe kanale kulluese. Le të na thonë specialistët e zjarrfikësve se sa avionë, makina dhe mjete shpëtimi mund të ishin blerë kundër zjarreve dhe emergjencave civile. Le të na thonë ata që merren me pasojat e tërmetit se sa shtëpi dhe pallate mund të ishin ndërtuar me këto para, për t’u bërë të mundur njerëzve të kenë një strehë ku të fusin kokën.

Le të na thonë ata të shëndetësisë se sa punë mund të kishin kryer në dobi të popullatës gjatë kohës së pandemisë apo edhe më vonë. Le të na thonë ata të sportit se sa palestra apo terrene sportive mund të ishin ndërtuar me këto para në të gjithë vendin, për t’u dhënë mundësinë të rinjve shqiptarë të merrnin çantat sportive e të merreshin me sport dhe argëtim, dhe jo të marrin çantat e të ikin nga ky vend! Le të na thonë ata të artit se sa salla kinemaje apo teatro mund të ndërtoheshin me këto para, në vend që 4.2 milionë euro t’i jepen ish-burrit të Kim Kardashian!

Por sulltanati i ndërtuar nga idetë perverse të një njeriu, të cilin si lider suprem e marrin shembull edhe idiotët e padobishëm poshtë tij, nuk të lë asnjë hapësirë për transparencë, e lëre më pastaj për llogaridhënie. Shpenzimet e fondit rezervë të buxhetit të shtetit nuk mund të bëhen kurrsesi rrush e kumbulla për favore personale dhe ushqim patronazhistësh. U desh ky rast, i këtij koncerti, që të kuptohej nga opinioni publik, tashmë i mbarsur me urrejtje ndaj qeveritarëve, se këtu abuzohet edhe me fatkeqësitë natyrore dhe shpenzohen para për qejfe dhe ahengje. Prandaj, të mos habiten fare që më në fund njerëzit e lirë dalin dhe protestojnë, sepse kupa s’mban më dhe abuzimit një ditë duhet t’i vijë fundi.

PANORAMASPORT.AL