Kevitan, klubi që hap dyert për të varfrit
KATEGORIA E TRETË- Një fazë e parë e mbushur me çudira. FC Kevitani u bë kampion pa rival duke fituar të gjitha ndeshjet, ndërsa Vilson Mëziu i befasoi të gjithë duke synuar “Këpucën e Artë”. Faza e parë e Kategorisë së Tretë për Grupin A ka përfunduar dhe tashmë është koha për të bërë llogaritë. Siç dihet, kampion dimri u shpall FC Kevitan që në 11 ndeshje të zhvilluara, ka arritur po kaq fitore. Edhe pse ka pasur vetëm një rival, atë të Bulqizës, skuadra e Mark Vataj i radhiti rezultatet pozitive duke kryesuar më në fund me plot meritë dhe me pikë të plota. Ekipi i portokallinjve ka grumbulluar 33 pikë, duke regjistruar 11 fitore, 0 barazime e 0 humbje, me një golavarazh 76:4.
Krijimi
Më 12 korrik 2014 është krijuar skuadra e FC Kevitan dhe më 14 gusht të po këtij viti është bërë dhe mbledhja e parë e themelimit. Pra, vetëm 6 muaj më parë, ka dalë në skenë kjo skuadër e rekordeve. Drejtuesit kanë bërë të ditur se klubi është formuar mbi baza vullnetare dhe që do të jetë për fëmijët në nevojë dhe për ata që janë në rrugë duke u dhënë një mundësi për të treguar veten në futboll. Prezantimi i parë i këtij klubi është bërë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” nëpërmjet koordinatorit të këtij klubi Migrid Vataj, trajnerit Mark Vatajt dhe portierit Bledar Malaj. Ndërsa president i këtij klubi është Artan Singa, një ish-futbollist në skuadrën e Dajtit të Kamzës. Zanafilla e këtij klubi nis që në Londër në vitin 2008, kur “Kevitan Grup” ka marrë pjesë në kampionatin e 18- vjeçarëve të Ligës Amatore Angleze, ndërsa është drejtuar atje nga Paul Curtis dhe më pas me iniciativën e “Kevitan Grup” në Londër është kërkuar që një copë e Shqipërisë të ishte edhe në futbollin anglez. Dhe kështu kjo skuadër mori pjesë me një skuadër të moshave nën 18 vjeç në Angli. Ndërkohë, në Shqipëri, për llogari të Kevitanit, tani po punon si menaxher i futbollit anglez ish-futbollisti i Totenham Hotspur, Roni Rosendal. Skuadra tashmë ka krijuar strukturat e saj, ku së bashku me ekipin e të rriturve që marrin pjesë në këtë sezon në kategorinë e tretë, është edhe ekipi i U- 19-ës, ndërsa stërvitet rregullisht në ambientet e qendrës së “Don Boskos” dhe merr pjesë në kampionatin e ligës amatore të zonës rajonale të Tiranës.
Ecuria
Fitorja 6-0 ndaj ekipit të shqiponjave (Eagles FC) në ndeshjen e parë çelëse të këtij kampionati tregoi se ky ekip do të ishte i frikshëm për të gjithë konkurrentët. Më pas do të vijë fitorja e dytë këtë radhë do ta pësonte ekipi i Sportingut 7-0. Në javën e tretë, do të jetë përplasja më e fortë e këtij ekipi, ajo me Spartakun, një ekip ky me përvojë në këtë kategori. Me vështirësi kjo skuadër do të triumfonte 3-2 dhe kështu me radhë. Vlen të theksohet se fitoret në pjesën më të madhe të takimeve janë me goleada.
Repartet
FC Kevitan ishte skuadra më e efektshme gjatë vjeshtës. Ekipi i Mark Vataj ka realizuar 76 gola nga 11 ndeshje të zhvilluara, duke i “bombarduar” portat kundërshtare, me një mesatare golash 6.9 gola për çdo ndeshje. Gjithashtu, tregoi se është skuadra me mbrojtjen më të sigurt dhe kanë pësuar vetëm 4 gola gjatë 11 ndeshjeve të zhvilluara ose 0,36 gola të pësuar në një ndeshje. E, për këtë, meritë ka portieri laçian Bledar Malaj.
Përgatiti: ABDULLA DUSHKU













