Kevin Dodaj ikën për 450 mijë euro, Esat Mala mbetet “ylli” i Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2025 | 21:42

Kevin Dodaj ikën për 450 mijë euro, Esat Mala mbetet “ylli” i Vllaznisë

Ashtu siç duhej, edhe ndodhi, ishin “yjet” apo, siç cilësohen, futbollistët kryesorë të skuadrës që bënë diferencën në kualifikimin e Vllaznisë.malaKualitetet e lojtarëve kuqeblu bënë diferencën në duelin ndaj Daugavpils, ku shkodranët përmbysën shifrat duke siguruar kalimin në turin tjetër. Duke nisur me personazhin kryesor të sfidës që ishte Kevin Dodaj, me talentin më të mirë të kampionatit shqiptar që ishte lojtari i ndeshjes. Tashmë mund të cilësohet i larguar nga Vllaznia, 19- vjeçari ishte protagonist me gol dhe asist, duke kontribuar më shumë se kushdo në kalimin e turit të dytë të 9 herë kampionëve të vendit tonë. E patjetër për ekipin e Martinit do të jetë një mungesë e madhe në duelet e turit të dytë, ku tashmë shkodranët do të jenë përballë islandezëve të Vikingur, një duel akoma më i vështirë dhe i fortë për kuqeblutë.

Një tjetër “yll” që ishte i rëndësishëm në duelin ndaj Daugavpils ishte edhe Esat Mala. Një nga futbollistët më të mirë të edicionit të shkuar, duket se e vijoi edicionin e ri aty ku la të vjetrin, duke gjetur golin e kualifikimit dhe po ashtu duke zhvilluar një lojë shumë të mirë dhe po ashtu duke treguar kualitetet për të cilat njihet. E po, ashtu një notë shumë pozitive meritoi edhe Elmando Gjini. Mbrojtësi u aktivizua në pjesën e dytë dhe “rregulloi” totalisht lojën në mbrojtje të shkodranëve, duke treguar dominim në duelet në ajër, ku shkodranët po vuanin shumë e gjithashtu duke hedhur kandidaturën për një vend titullari në turin e ardhshëm.

PARATË – Kevin Dodaj do të jetë lojtari më i ri i CSKA-së së Sofies. Vllaznia dhe klubi bullgar kanë arritur akordin, ndërsa shifra e përfituar do të kapë një total prej 450 mijë eurosh. “Shkodra Sport” ka zbuluar detajet e këtij transferimi. Vllaznia do të ruajë edhe 15% të kartonit në këtë rast. 19-vjeçari spikati në vetëm një vit me Vllazninë. Në total, me ekipin e parë ka numëruar 55 paraqitje deri tani, ku ka shënuar 9 gola dhe ka asistuar 4 të tjerë. Vllaznia ndërkohë po përgatitet për turin e ardhshëm në Ligën e Konferencës. Kuqeblutë do të përballen me Vikingurin në raundin e dytë.

PANORAMASPORT.AL