Kërnaja i qetë, vetëm me një objektiv te Partizani. Vllaznia merr gjithë vëmendjen
Partizani kthehet sot me përgatitjet për ndeshjen me Vllazninë.

“Demat” ishin dje pushim dhe kështu e kishin të dielën në dispozicionin e tyre. Do të jenë plot gjashtë ditë, për t’u vendosur më pas përballë kryesuesve të Superiores në javën e 12-të. Sfida në “Arena e Demave” është përcaktuar për të dielën, datë 23 nëntor. Ora 16:30 është po ashtu e përshtatshëm, që të shijohet një sfidë me kaq peshë. Trajneri Oltijon Kërnaja, për herë të parë ka mundësinë, që të jetë i fokusuar vetëm te rezultati i njërës prej skuadrave. Kjo pasi ekipi B nuk ka angazhim në këtë javë.
KËRNAJA Në fillimin e tetorit, Kërnajës iu besua edhe ekipi i parë. Asnjëherë një trajner nuk ka qëndruar për kaq gjatë në dispozicion të të dyja skuadrave. E vetmja ndeshje që Kërnaja humbi, ishte ajo me Shkumbinin. Partizani dhe Partizani B duhet të luanin në të njëjtën ditë. Në fund ishte Partizani që fitoi 2 me 3 ndaj Teutës, ndërsa ekipi i dytë u largua me barazim 2- 2 përballë Shkumbinit. Dy transferta, ndërsa po ashtu ekipi i dytë provoi deri në fund që të fitonte njësoj me përmbysje.
EKIPI B Ekipi i dytë i Partizanit nuk ka angazhim për këtë javë. Radha e tij për të qenë pushim në Grupin B te Kategoria e Dytë. Sfidat e tjera ndërkohë do të jenë të vlefshme për javën e shtatë. Për herë të parë, gjasat janë që Partizani të humbë kreun që e gëzon me po aq pikë sa Oriku dhe Bylis B. Ekipi i dytë i Partizanit numëron 16 pikë në gjashtë javë. Kështu Oriku që pret Shkumbinin, ose Bylis B ndaj Delvinës, kanë mundësi të lënë pas të kuqtë. Partizanit B ndërkohë do i mbetet një ndeshje më shumë për të luajtur, ose më saktë në vazhdim edhe Oriku me Bylisin B do provojnë të jenë pushim.
MUNGESAT Kërnajës do i duhet sërish të marrë futbollistë nga ekipi B. Mungesat janë të pranishme tek ekipi i parë, ndërsa si humbje e madhe shikohet Diego Kontreras. Ky i fundit debutoi me dy gola kundër Teutës, duke i hapur rrugën fitores me përmbysje. Megjithatë në fund u ndëshkua me karton të kuq dhe nuk mund të aktivizohet ndaj Vllaznisë.
ATANASKOSKI DHE KOLA Mungesë po ashtu e sigurt dhe e rëndësishme është ajo e David Atanaskoskit. Ky i fundit mbajti në Durrës shiritin e kapitenit, si i pesti në radhë në mungesë të tjerëve. Atanaskoski plotësoi numrin e katër kartonëve të verdhë. Marjus Kola debutoi po ashtu njësoj si Kontreras ndaj Teutës. 24-vjeçari, që u aktivizua pasi kishte bërë mjaft mirë tek ekipi B, mund të ketë sërish mundësinë e tij.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













