Këndi i veçantë, Ismet Bellova: Perlat Musta, një i papërsëritshëm i portës së Partizanit
Ismet Bellova, “dishepulli” i radiokomentimit shqiptar, ngjitet në “katedrën” e ligjërimit sportiv edhe tanimë në kapërcyellin e mbi 90 viteve mbi supet e tij.

Pavarësisht një viroze dimërake, mjeshtri i komentimit ka të njëjtin timbër, po aq të njëjtin pasion të përjetshëm e, kur dëgjon se bëhet fjalë për të vlerësuar Perlat Mustën, gjallërohet dhe nis “transmetimin” e rrjedhshëm të radhës, ekskluzivisht për “Panorama Sport”:
“I papërsëritshmi i portës së Partizanit dhe asaj të Kombëtares sonë, Perlat Musta, shenjon një emër të madh të futbollit shqiptar, që do të mbetet i tillë gjatë gjithë kohës. Unë e kam thënë vlerësimin tim për të jo vetëm në shumë ndeshje që kam transmetuar teksa ka qenë i pranishëm në fushë, por edhe në librin tim ‘Portierë të mëdhenj’.

I rrallë, me aftësi të jashtëzakonshme në çdo lloj dyluftimi ndaj kundërshtarit: në ajër, në planzhonet e veçanta, në gjakftohtësinë tipike përballë çdo rivali, në nuhatjen dhe instiktin gjatë rrjedhës së aksionit dhe trajektoren e topit, duke përllogaritur saktë lëvizjen e tij dhe elemente të tjera të një portieri që kishte vetësiguri të padiskutueshme dhe që ishte një nga hallkat më të rëndësishme të ekipit, duke injektuar frymën e vetëbesimit dhe të motivimit për fitore te çdo lojtar i skuadrës së tij.
Perlat Musta është dhe do të mbetet një sportist e njeri model dhe një nga portierët e rrallë të historisë së futbollit shqiptar”… …Dhe me kaq e mbyllim me mjeshtrin Ismet Bellova, sepse përmes telefonit dëgjojmë zërin e bashkëshortes së tij, ish-sportistes së mirënjohur, Bukuroshe Shtiza Bellova, që i tërheq vëmendjen: “Po mjaft, o Meti, se u lodhe”…
PANORAMASPORT.AL













