“Kemi një mundësi për ‘play off’, jo në dorën tonë”. Marku: E mbyllim me fitore, Korabi ia del kundër Ilirisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2026 | 11:55

“Kemi një mundësi për ‘play off’, jo në dorën tonë”. Marku: E mbyllim me fitore, Korabi ia del kundër Ilirisë

Taulant Marku, sulmuesi 31-vjeçar nga Puka, po zhvillon sezonin e tretë radhazi me Korabin dhe është kthyer në një nga pikat më të forta të skuadrës dibrane në rrugëtimin e saj pozitiv këtë edicion. Me paraqitje të qëndrueshme dhe vendimtare, ai ka luajtur 30 ndeshje gjatë këtij sezoni, ndërsa është shpallur pesë herë fitues i trofeut “Lojtari i Ndeshjes”, vlerësim që i jepet futbollistit më të spikatur në fushë.

TAULANT MARKU KORABI

Trofeun e fundit Marku e fitoi në javën e kaluar, në transfertën ndaj Besës në Luz, ku shënoi golin e barazimit për Korabin, duke i dhënë skuadrës një pikë të rëndësishme. Përveç kësaj, ai është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës dibrane me 14 gola, duke konfirmuar rolin e tij si lider në repartin ofensiv. Vlerat e Markut njihen mirë, pasi ai ka eksperiencë edhe në Kategorinë Superiore, ku ka luajtur më parë me skuadrat e Dinamos dhe Tërbunit. Kontributi i tij këtë sezon ka qenë vendimtar për objektivat e Korabit. Këtë të diel, në javën e fundit të kampionatit, Korabi do të presë Ilirinë e Fushë-Krujës, në një ndeshje ku dibranët synojnë ta mbyllin sezonin me fitore. Përballë do të kenë një skuadër që e ka siguruar tashmë vendin e katërt dhe nuk ka presion rezultati, ndërsa Korabi kërkon maksimumin për të mbajtur gjallë shpresat për zonën “play off”.

Nga ana personale, Marku synon të shtojë edhe më shumë numrin e golave, duke qenë se aktualisht ka 14 realizime, katër më pak se Nasr i Skënderbeut në garën për “Këpucën e Artë”. Megjithatë, për sulmuesin dibran prioritet mbetet suksesi i skuadrës. “Në këtë ndeshje të fundit do të bëjmë maksimumin për ta mbyllur sezonin me fitore. Do të përgatitemi me seriozitet maksimal si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Korabi e mbyll këtë sezon me kokën lart, pasi kemi arritur objektivin kryesor, që ishte mbijetesa. Sigurisht që tani kemi edhe një mundësi për të kapur zonën ‘play off’, edhe pse kjo nuk varet vetëm nga ne. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë, të fitojmë në shtëpi dhe më pas të mendojmë për sezonin e ardhshëm. Bashkë do t’ia dalim”, deklaroi për “Panorama Sport” sulmuesi i Korabit, Taulant Marku, i cili ka regjistruar 1638 minuta aktivizim gjatë këtij sezoni.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL