Katër formacione dhe vetëm një lojtar me minuta të plota, Partizanit të Milinkoviçit i duhet ende kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2025 | 13:50

Katër formacione dhe vetëm një lojtar me minuta të plota, Partizanit të Milinkoviçit i duhet ende kohë

Para fillimit të Superiores, Mladen Milinkoviç ishte trajneri që kishte më pak kohë me skuadrën. Partizani e emëroi më 6 gusht, më pak se tri javë nga starti i kampionatit. Dëmtimet kanë bërë që të mos gjejë qetësi, për ta nisur të paktën dy ndeshje radhazi me të njëjtët futbollistë. Dhe nga takimi i humbur me Elbasanin, rotacioni në Ballsh është i sigurt.

GJK_2255-1024x683 (1)

RRESHTIMI

Milinkoviç i ka qëndruar besnik rreshtimit gjatë kësaj kohe. Siç edhe pritej, të kuqtë e nisin 4-2-3-1. Maja e sulmit ka pasur ndryshime gjithmonë, ndërsa Partizani nuk ka realisht një bomber në skuadër. Gudjufi, Skuka dhe së fundmi Bintsuka u është besuar udhëheqja e skuadrës në repartin ofensiv. Asnjë prej tyre nuk ka gjetur golin deri tani. Bintsuka ka pak minuta në këmbë, ndërsa Skuka duhet të kalojë një tjetër dëmtim për shkak të tërheqjes së pësoi. E njëjta situatë ishte edhe në fillimin e kampionatit për sulmuesin dibran.

PESË TË BESUARIT

Partizani ka disa futbollistë, që kanë fituar besimin e Milinkoviç. Më konkretisht, pesë prej “demave” janë aktivizuar sistematikisht titullarë. Bëhet fjalë për Ismailin, Gudjufin, Prekën, Mehmetin dhe Isgandarlin. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndryshime ndaj Bylisit. Gudjufi u zëvendësua pas 45 minutave ndaj Elbasanit dhe Milinkoviç pa kështu se ekipi kishte nevojë për ndryshim.

PREKA

Partizani ka një xhevahir në skuadër. Bëhet fjalë për Marçelino Prekën. Mbrojtësi dhe kapiteni i Partizanit është i vetmi me të gjitha minutat në këmbë. Siguria që Partizani mund të ketë në mbrojtje vjen pikërisht prej tij. 22-vjeçari është futbollisti i kthyer në lider prej sezonit të kaluar. Qirko po ashtu mund të kishte minuta të plota në portë, nëse nuk do ishte për virozën fillimisht dhe më pas dëmtimin.

NDRYSHIMET

Sfida ndaj Bylisit premton sërish ndryshime. Çdo gjë mund të nisë nga porta ku nëse Qirko do të jetë i gatshëm, do të rikthehet për të mbrojtur katërkëndëshin e të kuqve. Më tej qëndron edhe situata e krijuar nga Bytyçi, i cili pas kartonit të kuq i jep mundësinë Janjevës. Lëvizje nuk përjashtohen edhe për repartet e tjera. Në takimin e fundit, Gudjufi dhe Bintsuka u zëvendësuan që pas përfundimit të pjesës së parë. Kështu nuk do të jetë çudi, nëse nuk e nisin nga minuta e parë në Ballsh. Sfida e së shtunës me Bylisin është test i vërtetë për vazhdimësinë. Çdo rezultat përveç fitores do të ishte dramatik në situatën aktualisht. Bylisi ndërkohë i ka fituar dy përballjet e fundit në shtëpi ndaj Partizanit.

Screenshot 2025-09-24 135008

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL