Kategoria Superiore U-19 fillon me derbi, ja rezultatet e javës së parë
Super-Tirana gjunjëzon Partizanin
Të rinjtë e Tiranës, që drejtohen nga Astrit Hafizi, kanë dalë triumfues në ndeshjen derbi kundër Partizanit me rezultatin e pastër 2-0. E kanë nisur me këmbë të mbarë bardheblutë këtë sezon, duke shpallur që në start ambiciet e tyre, pasi kanë mundur një prej rivalëve direkt për kreun. Të rinjtë e Tiranës kanë luajtur më mirë dhe kanë dominuar në qarkullimin e topit.

Ndërsa ekipi i kuq, që drejtohet nga një legjendë e Partizanit si Ylli Shehu, nuk ka mundur të dalë në lojën e vet. Skuadra ishte shumë konfuz në sulm, edhe pse nga ana teknike lojtarët e Partizanin kishin cilësi dhe qëndronin më lart se moshatarët e tyre. Për sa i përket takimit, ai është ndjekur nga një numër i madh shikuesish, rreth 2000 vetë.
Ra në sy prania e shumtë e forcave të rendit, që kishin marrë masa të rrepta sigurie. Kjo erdhi për shkak se në të dyja anët e tribunës në kompleksin “Skënder Halili” ishin vendosur tifozët ultras të të dy ekipeve. I pranishëm në stadium ishte edhe zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, por gjithashtu presidenti i Tiranës, Refik Halili, drejtori i Partizanit, Genc Tomorri, si dhe dy figura të njohura si Sulejman Mema e Perlat Musta.
Golat
Takimi ka nisur me një dëmtim të portierit të Tiranës, Engli Selgjekaj, që gjatë një pritje përplaset me kokë me një prej sulmuesve të Partizanit dhe detyrohet të luajë i fashuar gjatë gjithë ndeshjes. Tirana që në fillim është më kërkuese. Sulmuesi Grent Halili rrezikon i pari portën e kuqe në dy raste të njëpasnjëshme.

Tirana kaloi në avantazh në minutën 29-të, kur Jurgen Vrapi pason për qendërmbrojtësin Cake dhe ky i fundit gjuan fort e shënon. Pjesa e parë u mbyll 1-0, edhe pse të kuqtë rritën forcën sulmuese. Në minutën e 75-të erdhi edhe goli i dytë me autor Zhivanajn, që vulosi fitoren e Tiranës. Gjithçka u mbyll 2-0, me të kuqtë që dolën të zhgënjyer nga fusha.
Hafizi: Ky do të jetë sezoni ynë
Trajneri i Tiranës U-19, Astrit Hafizi, ka mbetur shumë i kënaqur me lojën e të tijve. Pas ndeshjes, Hafizi foli për “Panorama Sport”, duke theksuar ndër të tjera se ka shumë besim që ky sezon do të flasë për skuadrën që ai stërvit prej dy vitesh.

“Sezonin e kaluar ishim shumë pranë fitimit të titullit, por me sa duket ky vit do të jetë i yni. E kemi nisur në mënyrën më të bukur, me një fitore në derbi, për më tepër ndaj një rivali direkt në luftën për vendin e parë. Skuadra luajti e mobilizuar dhe arriti të shfrytëzonte defektet e mbrojtjes kundërshtare.
Kemi marrë një fitore të merituar dhe dua t’i falënderoj djemtë për këtë sukses të merituar”, ka thënë fillimisht Hafizi. I pyetur për rivalitetin në grupin A, Hafizi u shpreh: “Si ekipe rivale në luftën për titullin kampion parashikoj Shkëndijën e Tiranës dhe Vllazninë nga grupi ynë. Mendoj se do të jetë një kampionat i fortë”.
ABDULLA DUSHKU
Skënderbeu nuk fal

Skënderbeu kampion në fuqi i të rinjve ka mposhtur me shifrat 3-1 Pogradecin në transfertë. Pas një fillimi të shpejtë për të dy ekipet, goli mungoi, edhe pse rastet ishin të shumta. Korçarët shpërthyen në pjesën e dytë me Pëllumbin, që bëri dopietë, ndërsa Mara arriti të shënonte nga pika e bardhë. Për liqenorët golin e realizoi Bajraktari.
PËLLUMB STAROVA
Flamurtari thyen Besën

Të rinjtë e Flamurtarit kanë startuar në mënyrën më të mirë këtë kampionat, duke arritur një fitore bindëse ndaj Besës. Djemtë e drejtuar nga Dritan Resuli kanë pasur përballë një kundërshtar të fortë, por që nuk e kanë pasur të vështirë fitoren. Beqaj shënoi një supergol, ndërsa Bocaj dhe Seferi plotësuan triumfin e kuqezinjve.
KASTRIOT BRAHIMAJ
Shkëlqen Elbasani

Elbasani ka marrë një fitore të merituar ndaj Lushnjës në “Roza Haxhiu”, me rezultatin e thellë 3-0. Verdheblutë kaluan në avantazh në pjesën e parë me kapitenin Dalipi. Pas pushimit Sadiku dyfishoi shifrat, ndërsa Peqini firmosi tripletën duke devijuar saktësisht për në rrjetë një krosim të Preçit. Reagimi i Lushnjës ishte i dobët.
ALBAN ALUSHI
Portos i mjafton Gruda

Takimi mes Portos dhe Internacionalit u mbyll me fitoren e vendësve, ku Gruda shënoi që në minutën e 12-të. Loja ka nisur e qetë, kryesisht është zhvilluar në mesfushë për gati 10 minutat e para. Më pas, frenat e lojës i mori Porto, duke rrezikuar seriozisht portën e Internacionalit. Goli nuk vonoi dhe më pas Porto administroi lojën.
PRENG GJIKOLA
Brians mposht Laçin

Brians ka fituar minimalisht ndaj Laçit, në një ndeshje ku iu deshën vetëm 25 minuta që të kalonte në avantazh. Gega me golin e tij i dha triumfin skuadrës lezhjane ndaj një rivali të fortë. Loja u kontrollua nga vendësit, që krijuan disa raste për shënim. Pjesa e dytë përsëri u kontrollua nga Brians, por nuk u arrit të shënohej goli i dytë.
PRENG GJIKOLA
Hoxha nderon Shkëndijën

Shkëndija e Durrësit ka mundur thellësisht AF Dinamon, duke e nisur shumë mirë kampionatin. Të parët që kalojnë në avantazh janë miqtë nga Tirana, të cilët shënojnë me anë të Murjes. Por, rezultati barazohet shumë shpejt me anë të M.Hoxhës. Sulmuesi nuk mjaftohet me golin e barazimit, por përmbys gjithçka duke realizuar edhe dy herë.
JETON REXHMATI















