Karrica kërkon rikthimin te goli: Vetëm fitorja vlen ndaj Teutës
Vora me seancën e djeshme të pasdites, i dha fund stërvitjeve eksperimentale me lojtarët e dëmtuar, që rikthehen pas një kohe të gjatë dhe nesër ajo do të zhvillojë dhe testin për të parë realisht gjendjen e tyre.

Ky test do të jetë në miqësoren e planifikuar në orën 15:00 në stadiumin e Vorës, kundër Korabit. Nga ku trajneri Bellai do të shohë dhe ndërhyrjet e mundshme në formacionin që do të ndërtojë për ndeshjen e ardhshme kundër Teutës. Dhe me fillimin e javës së ardhshme çdo gjë do ti kushtohet përgatitjes, për ndeshjen e kampionatit kundër Teutës.
BERNARD KARRICA – kërkon rikthimin te goli, pasi kuota e tij u ndal në 4 pas 9 ndeshjeve të luajtura. Sepse pikërisht në ndeshjen e tij të 10-të me skuadrën vorake, ai dëmtohet rëndë duke ju nënshtruar një operacioni të vështirë të kryer në Finlandë. Tashmë ai është rikthyer stërvitjeve dhe pothuajse është i gatshëm për të nisur sërish aventurën me Vorën, të lënë përgjysmë.
Pasi i ka shënuar dy herë Tiranës në ndeshjen e luajtur në Laç në atë fitore 3-1. Ai ka shënuar golin e tretë personal, që ishte një gol me vlerë tre pikësh, duke përmbysur në Elbasan, në fitoren e Vorës 2-1. Ndërsa golin e tij të fundit, ai do ta shënonte në “Adush Muça”, por që nuk pati vlera pikësh, pasi Vora e humbi atë 1-2.
PRONONCIMI – “Stërvitja për mua nuk është opsion, por është një mnënyrë jetese. Çdo prekje e topit, apo çdo sprint dhe çdo përpjekje e bërë, të çon më afër golit perfekt. Po të japësh maksimumin edhe rezultati do të flasë vetë”, këto ishin fjalët e para të Karricës, lidhur me stërvitjen që ai po kryen për gati dy muaj pranë ekipit, pa arritur të zhvillojë ndeshje.
E këtë herë duket seriozisht fakti se do të jetë pjesë e formacionit, sepse dhe golat e Vorës kanë munguar. Më tej ai shprehet se “mungesa jashtë fushave të futbollit, për mua, kanë qenë një “dhimbje” e madhe shpirtërore. Kërkoj që të mund t’i shfrytëzoj në maksimum këto 7 ndeshje të mbetura për të bërë më të mirën si për veten time, por edhe për Vorën, e cila e ka të domosdoshme, që në këto 7 ndeshje të mbetura, të mund të sigurojë mbijetesën”, tha ai. Së fundmi për ndeshjen me Teutën, ai shprehet se për Vorën. “Mendoj se nuk ka mënyrë tjetër, për ndonjë rezultat jashtë fitores”, ka përfunduar Bernard Karrica.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













