Kapiteni i Teutës, Toli: Fitore me çdo kusht, durrsakët në sulm
Në prag të sfidës së radhës në kampionat, Teuta përgatitet për një përballje të rëndësishme ndaj Vorës. Në një moment kyç të sezonit, ku çdo pikë ka peshën e saj, kapiteni Ardit Toli flet për gjendjen e skuadrës, objektivat dhe pritshmëritë për ndeshjen.
Ardit, si është gjendja e skuadrës para ndeshjes me Vorën?
Skuadra është në gjendje shumë të mirë, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Kemi punuar fort gjatë javës dhe jemi të fokusuar maksimalisht për këtë përballje.
Çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Presim një ndeshje të fortë, pasi Vora është një ekip që lufton shumë. Megjithatë, ne kemi objektivat tona dhe do të hyjmë në fushë vetëm për fitore.
Sa e rëndësishme është kjo ndeshje për objektivat e sezonit?
Çdo ndeshje në këtë fazë është shumë e rëndësishme. Pikët janë jetike dhe nuk kemi luksin të gabojmë nëse duam të arrijmë synimet tona.
Si kapiten, çfarë mesazhi u jep shokëve të skuadrës?
U them gjithmonë të jenë të përqendruar dhe të japin maksimumin. Duhet të luftojmë për çdo top dhe të tregojmë karakter në fushë.
Një mesazh për tifozët?
Tifozët janë gjithmonë forca jonë. I ftoj të jenë pranë nesh dhe t’i japin skuadrës mbështetjen që meriton. Do bëjmë gjithçka për t’i bërë krenarë.
A ka presion para kësaj ndeshjeje?
Presioni është pjesë e futbollit, sidomos kur luan për një klub si Teuta. Por ne dimë ta menaxhojmë dhe ta kthejmë në motivim.
Parashikimi juaj për rezultatin?
Nuk më pëlqen të bëj parashikime, por mund të them që do luftojmë deri në fund për të marrë tre pikët.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













