Kapiteni i Bylisit, Marku: Marrim rezultat pozitiv në Shkodër
Bylisi do të luajë sot në orën 16:30, në “Loro Boriçi”, me skuadrën e Vllaznisë.
Ballshiotët sot do të kryejnë një seancë të lehtë, të karakterit shkrydhës, ndërsa nga sa është parë në seancat e fundit, trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij duket se e kanë krijuar një ide më të qartë rreth 11- shes që do të hedhin në fushën e blertë, ku do të synojnë marrjen e një rezultati pozitiv.
Mallakastriotët vijnë në këtë transfertë pasi barazuan me një tjetër pretendent të Superiores si Teutën, 1-1 javën e shkuar në Ballsh, një duel me polemika edhe për faktin se vendasit u ndien të vjedhur nga gjykimi. Në prag të duelit me kuqeblutë, ka folur një nga lojtarët më të spikatur, kapiteni Aurel Marku, 20-vjeçari që është duke kaluar një formë mjaft të mirë dhe që po tregohet i lakueshëm në prapavijë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur Aurel Marku, i cili është optimist në prag të duelit me shkodranët, ku mbrojtësi që mban veshur edhe fanellën e kuqezinjve U-21 beson te rezultati pozitiv.
“Pika me Teutën është pak për mënyrën se si luajtëm dhe për faktin që e goditëm portën e tyre disa herë. Megjithatë, ajo që më bën optimist është forma e mirë e grupit dhe dëshira për pikë. Vllaznia, që është kundërshtari i radhës, ndryshon nga Teuta për nga mënyra e të luajturit, por jo për nga dëshira për rezultat, ndaj duhet që të kemi shumë kujdes. Dua të theksoj se do të hyjmë në fushë me dëshirën për të dhënë maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv. Ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra dhe ekipet nga mënyra e të luajturit gjithashtu. Ne kemi lënë “firo” te pikët, në disa sfida edhe për fajin tonë, por në disa ndeshje si me Flamurtarin në Ballsh, Teutën në Durrës dhe Ballsh, Elbasanin në Elbasan dhe Vllazninë në Ballsh kemi merituar më shumë, për atë që kemi dhënë në fushë. Shpresoj që të mos ketë më “gabime pa dashje” në kurrizin tonë, sepse jemi një ekip që i japim bukuri dhe i bëjmë nder garës. Ndaj edhe si kapiten skuadre, u bëj thirrje shokëve që nesër në Shkodër të bëjmë maksimumin dhe le të fitojë ajo skuadër që do të jetë më lart në fushën e blertë”, tha Aurel Marku, një nga titullarët e Bylisit të këtij sezoni.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













