Kapiteni Caca: Kastrioti duhet rikthyer në elitë
Kapiteni i Kastriotit, Fatmir Caca, Rigers Hoxha dhe lojtari aktual i Tërbunit, Vilson Lila, por me banim në Krujë, këto ditë po takohen përditë për të zhvilluar së bashku stërvitje. “Është e nevojshme që të stërvitemi, për të qenë të gatshëm dhe për të ruajtur formën deri në momentin që të fillojë merkato dhe riorganizimi për kampionatin. Për këtë arsye, duke qenë se seancat stërvitore të organizuara kanë përfunduar me mbylljen e sezonit, po zhvillojmë përgatitje individuale. Është normale në futbollin shqiptar që efektivisht organizimi i skuadrave të fillojë nga fundi i qershorit dhe deri atëherë jemi të gjithë në pritje”, – u shpreh fillimisht kapiteni Caca. “Pas pesë sezonesh radhazi në Superiore, sigurisht që për të gjithë ne është dëshira që sa më parë Kastrioti të riorganizohet për t’u rikthyer në elitë. Për sa i përket sezonit të kaluar, mund t’ju them që me një grup ashtu siç e kishte Kastrioti, sigurisht që nuk e meritonte të binte nga kategoria”, – përfundoi Caca.
Murat Aruçi













