Kampionia olimpike njofton rikthimin në gara, gjimnastja amerikane synon “Los Anxhelos 2028”
“Jam rikthyer”. Me këto fjalë amerikania Suni Lee njoftoi rikthimin e saj në garat e gjimnastikës pas dy vitesh mungesë, që pas përfundimit të Lojërave Olimpike të Parisit. Në edicionin e vitit 2024, Lee fitoi tri medalje: një të artë në garën ekipore të shumëgarëshit dhe dy të bronzta, në shumëgarëshin individual dhe në shufrat e pabarabarta.
Pas dy vitesh larg sportit elitar, Lee konfirmoi se është rikthyer në stërvitje dhe synon të jetë gati për Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028.
“E di se çfarë jam e aftë të bëj. Jam e gatshme të bëj gjithçka që duhet për ta arritur këtë. Jam kthyer në palestër. Do ta shohim. Ky është më shumë se një rikthim, ndaj qëndroni të vëmendshëm”, deklaroi ajo.
Vitin e kaluar, Lee zbuloi se, përveç problemeve shëndetësore pasi në vitin 2023 u diagnostikua me një sëmundje kronike të veshkave, kishte kaluar edhe periudha depresioni dhe pasigurie mes Lojërave Olimpike të Tokios dhe atyre të Parisit. Lee nuk është e vetmja anëtare e ekipit amerikan të gjimnastikës artistike për femra që vendosi të marrë një pushim pas Lojërave të Parisit.
Të njëjtën rrugë ndoqi edhe Jade Carey, e cila, ashtu si bashkëlojtarja e saj, njoftoi së fundmi rikthimin në gara. Ndërkohë, Simone Biles, e cila në Lojërat Olimpike të Tokios 2020 u tërhoq nga disa gara për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe më pas fitoi tri medalje të arta dhe një të argjendtë në Paris, ende nuk ka bërë të ditur nëse do të garojë në Los Anxhelos 2028.
PANORAMASPORT.AL













