Kampionët e Kategorisë së Parë/ Vora me “portë të blinduar” në debutimin e Superiores
Vora do të zbresë për herë të parë në fushën e Kategorisë Superiore me një siguri të madhe në repartin më delikat, portën. Stërvitësi i portierëve, Besnik Beqiri, gjatë fazës përgatitore ka punuar me tre emra, duke ndërtuar konkurrencë të shëndetshme mes tyre. Portieri kryesor Shkëlzen Ruçi, që sezonin e kaluar ishte një nga pikat më të forta të ekipit, ka marrë një rival të ri, pasi klubi afroi me përvojë Romeo Harizajn. Ndërkohë, si alternativë e tretë është përfshirë edhe i riu 16-vjeçar Flavio Shala, produkt i moshave të Vorës dhe pjesë e U-21.

BEQIRI – Në një prononcim për mediat, stërvitësi i portierëve, Besnik Beqiri, u shpreh: “Në çdo skuadër, plani për ndërtimin e një grupi të qëndrueshëm nis nga porta. Vora afroi një konkurent me përvojë për Ruçin dhe ky është Romeo Harizaj, i cili ka vlera për të konkurruar me dinjitet. Kjo i bën mirë si vetë portierëve, ashtu edhe skuadrës, sepse rrit impenjimin e secilit. Po punojmë fort dhe dua të bëjmë më të mirën për portën vorake.
Jam i lumtur që punoj në një klub serioz me projekte të qarta. Duke qenë se Vora është në një nivel superior, normalisht i duhet edhe një siguri e plotë në portë. Për këtë, unë garantoj se Ruçi dhe Harizaj janë një garanci absolute për skuadrën. Ndërkohë kemi përgatitur edhe portierin e tretë, Flavio Shala, i cili është gati për çdo të papritur. Kam besim se Ruçi do të nisë kampionatin si titullar, pasi ka qenë pika kryesore e Vorës sezonin e kaluar.”
RUÇI – Ndërkohë, kapiteni i portës, Shkëlzen Ruçi, ka folur për emocionet e debutimit në Superiore dhe për ndeshjen e parë kundër Partizanit: “Po e presim me entuziazëm nisjen e kampionatit. Atmosfera në skuadër është shumë pozitive, djemtë po punojnë fort çdo ditë dhe ka besim te njëri-tjetri. Këtë sezon mendoj se kemi një ekip më cilësor dhe më të kompletuar se më parë.
Për ndeshjen me Partizanin, e dimë që është një kundërshtar i fortë, por do të hyjmë në fushë me besim dhe përkushtim maksimal për të marrë rezultat pozitiv. Objektivi ynë është të japim gjithçka në çdo 90-minutësh.” Ruçi, 33-vjeçari elbasanas, është një nga figurat kyçe të Vorës dhe përvoja e tij do të jetë thelbësore për debutimin historik të skuadrës në elitën e futbollit shqiptar.
ABDULLA DUSHKU













