Kampionët e Egnatias, 13 fitore dhe ndalja e Partizanit. Tetova kërkon reagim të menjëhershëm nga grupi i tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2026 | 9:39

Kampionët e Egnatias, 13 fitore dhe ndalja e Partizanit. Tetova kërkon reagim të menjëhershëm nga grupi i tij

Egnatia kërkon konfirmimin në përballjen e së shtunës ndaj Partizanit, përballë një skuadre që ka rritur ndjeshëm nivelin javët e fundit dhe është kthyer në një rival direkt për rrogozhinasit.

egnatia

Për këtë arsye, sfida në kryeqytet merr një peshë të veçantë për të besuarit e Edlir Tetovës, të cilët synojnë të ruajnë hapin e kryesuesve dhe të shmangin çdo hap fals në momentin kulminant të kampionatit. Një fitore ndaj të kuqve do t’u jepte kampionëve jo vetëm tri pikë të arta në renditje, por edhe një shtysë të fortë morale për vijimin e sezonit.

Për këtë arsye pritet që Egnatia të zbresë në fushë me objektivin e qartë për të marrë maksimumin. Lajmi i mirë për trajnerin Tetova është se skuadra nuk ka asnjë futbollist të pezulluar për shkak kartonësh dhe nuk raportohen dëmtime, çka i jep mundësinë të zgjedhë formacionin më të mirë të mundshëm. Edhe pse gjatë sezonit ka aplikuar rotacion të shpeshtë, këtë herë pritet të hedhë në fushë lojtarët më në formë.

FITORET – Deri në këtë pikë të sezonit, Egnatia ka regjistruar 13 fitore, vetëm një më pak se kryesuesja Vllaznia. Një detaj domethënës lidhet me mënyrën si i kanë administruar ndeshjet: në tetë raste kur kanë fituar, rrogozhinasit kanë kaluar në avantazh që në pjesën e parë dhe më pas e kanë ruajtur rezultatin deri në fund. Në dy raste të tjera, pasi e kanë mbyllur fraksionin e parë në avantazh, ndeshja ka përfunduar në barazim. E rëndësishme është se nuk kanë pësuar asnjë humbje në takimet kur e kanë fituar pjesën e parë.

Nga ana tjetër, Egnatia ka arritur pesë fitore edhe në ndeshje ku pjesa e parë është mbyllur në barazim, çka tregon aftësinë për të reaguar në fraksionin e dytë. Ndërkohë, katër nga pesë humbjet sezonale kanë ardhur që në 45 minutat e para, duke treguar se fillimi i ndeshjes shpesh ka përcaktuar fatin e saj. Me pak fjalë, për Egnatian çelësi i suksesit mbetet pjesa e parë. Ndaj Partizanit, Tetova do të kërkojë një hyrje agresive dhe të përqendruar, për të vendosur ritmin që në start. Nëse kampionët arrijnë të imponojnë lojën dhe të marrin avantazhin herët, rruga drejt tri pikëve apo të paktën një rezultati pozitiv bëhet dukshëm më e arritshme.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL