“Kam rezerva për lojën e Tetovës”, drejtori Zenelaj i tregon të gjitha: Tre më të paguarit e Egnatias dhe kampionatit! Ky lojtar i Partizanit më la mbresa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2026 | 18:26

“Kam rezerva për lojën e Tetovës”, drejtori Zenelaj i tregon të gjitha: Tre më të paguarit e Egnatias dhe kampionatit! Ky lojtar i Partizanit më la mbresa

Klejdi Zenelaj u shfaq si rrallë herë para kamerave. Së fundmi ka prekur disa tema në një “podcast”, ndërsa zbulon se me Edlir Tetovën ka rezervat e tij sa i përket mënyrës së lojës. Në anën tjetër, tregon se Arinaldo Rrapaj është lojtari që i ka lënë mbresa dhe nuk ka qenë pjesë e Egnatias. Ndërkohë te kampionët, Arbenit Xhemajli, Albano Aleksi dhe Fernando janë më të paguarit.

Screenshot 2026-02-13 182553

Si është Tetova si trajner? “Shumë kërkues, kërkon gjithmonë të fusë diçka të re në ekip. Shumë punëtor, nga ata djem që punën nuk ia ke merak fare se po ta marrësh në mes të natës në telefon e ke duke punuar. Duke parë ndeshjet, duke parë situatat. Mua më pëlqen shumë si njeri, kam le të themi në thonjza ato rezervat e mia për nga mënyra e lojës, sepse kemi shumë kundërshtime. Ai është trajneri në fund të ditës, vendos dhe ne tjerët duhet të përshtatemi që t’i marrim maksimumin për sa kohë do jemi bashkë”.

Cilët janë më të paguarit në ekip? “Mirë nuk është të përmendim emra, përgjithësisht grupi i di. Janë lojtarët më të vjetër, që janë aktualisht në ekip. Siç është Xhemajli, është Aleksi, është Fernando. Janë kjo baza që ka qenë pothuajse për 3-4 vite. Aktualisht ata janë më të paguarit në ekip dhe besoj se mund të hyjnë te më të paguarit e komplet kampionatit”.

Cili është lojtari që ke dashur ta kesh në ekip, por nuk e ke? “Nuk është se kam një emër që e kam dashur dhe nuk e kemi në ekip. Përgjithësisht kemi marrë atë që kemi dashur. Atëherë lojtari që realisht më ka pas lënë mbresa gjithmonë, por që nuk e kemi tentuar se nuk e merrnim dot, ka qenë vetëm Rrapaj i Partizanit. Ka qenë ai lojtar, që mund të ndryshonte lojën e trajnerit. Jo që unë, personalisht e dua shumë,  por mund të na jepte atë plusin që nuk na e jepte dot asnjë”, u shpreh Zenelaj për “Topcast”.

PANORAMASPORT.AL