Josa ndryshon skemën dhe emrat, si pritet të luajnë Bylisi dhe Flamurtari. Abazaj i bindur: Marrim fitoren e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2025 | 13:59

Josa ndryshon skemën dhe emrat, si pritet të luajnë Bylisi dhe Flamurtari. Abazaj i bindur: Marrim fitoren e parë

Bylisi zhvilloi seancën e fundit dje në Ballsh. Tifozët vendas ndoqën me interes stërvitjen, ndërsa skuadra menjëherë pas saj u grumbullua për duelin me Flamurtarin.

Screenshot 2025-08-30 135850

Pas barazimit me Tiranën, presioni dhe motivimi janë të lartë, sidomos me vizitën e Flamurtarit që ka qenë një rival i fortë historik. Trajneri Mirel Josa pritet të bëjë disa lëvizje taktike për të shfrytëzuar avantazhin e fushës së Ballshit. Mustafa Ibrahim mungon për shkak të kartonit të kuq, ndërsa Abazaj mund të kalojë në qendër dhe Marku të zhvendoset më para.

Në sulm, Malomo ose Përgjoni mund të jenë në krah, me mundësi që të aktivizohen edhe Akibu. Skema e mundshme për Ballshin sot në orën 16:00. Sfida e sotme ka ngjallur interes të madh, jo vetëm te vendasit, por edhe te tifozët nga Vlora. Klubi ka marrë masa për të garantuar kushtet optimale për rreth 500-600 tifozë vlonjatë që pritet të jenë në stadium, duke treguar edhe marrëdhënie të mira ndër vite mes dy qyteteve dhe klubeve.

Abazaj i bindur: Bylisi merr fitoren e parë

Bylisi ka mbyllur përgatitjet për sfidën kundër Flamurtarit dhe skuadra, ashtu si gjatë javës, është grumbulluar në prag të këtij dueli shumë të rëndësishëm. Pas barazimit me Tiranën, në Ballsh synojnë të marrin pikët e plota, edhe pse e kanë të qartë se nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, duke marrë parasysh se Flamurtari ka bërë investime kolosale në merkato, duke afruar emra cilësorë dhe lojtarë me eksperiencë.

Por te Bylisi nuk tremben. “Luajmë në shtëpinë tonë dhe do të kërkojmë fitoren e parë në kampionat,” thotë kapiteni Marin Abazaj në një prononcim për “Panorama Sport”. “Pak rëndësi ka ku luajmë. Ndeshjet në shtëpi i kemi vlerësuar po ashtu si ato në transfertë. Flamurtari është një ekip me emër të madh dhe kacafytës, por skuadra jonë është më e organizuar dhe më e motivuar për ta fituar këtë duel që do të jetë shumë i bukur. Edhe në Vlorë, nëse do të zhvillohej ndeshja, do të hynim për 3 pikët!

Fusha do ta tregojë, por një gjë është e sigurt. Do të jemi një skuadër që do të hyjë me më shumë dëshirë dhe për ta fituar këtë duel. Është java e dytë dhe në këtë kampionat çdo ndeshje duhet të merret maksimalja. Kjo realizohet kur secili nga ne jep maksimumin. E di trajneri dhe vendos ai. Unë stërvitem dhe punoj për të bërë më mirë në çdo sfidë. Kam luajtur edhe djathtas kur ka pasur nevojë skuadra, kështu që do të përpiqem të jap maksimumin kudo të luaj.

Jo, duhet të fokusohemi te ndeshja me Flamurtarin. Barazuam me Tiranën, por tani duhet të shohim përpara dhe t’i marrim ndeshjet një nga një, ashtu siç bëmë edhe sezonin e kaluar. Besoj se do t’ia dalim. Mustafa është një lojtar me eksperiencë dhe i fortë, por te Bylisi dominuar forca e grupit. Stafi do të bëjë zgjedhjen më të mirë që mungesa të mos ndikohet në sfidën me Flamurtarin”, tha Abazaj.

Screenshot 2025-08-30 135638

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL