Javë vendimtare për sezonin, te “Demat” e Partizanit priten lëvizje surprizuese
Partizani po punon maksimalisht, që të surprizojë në fundin e merkatos së verës. Pas prezantimit të disa lojtarëve dhe afrimit që është në prag të Arafat Doumbia, të kuqtë nuk do të ndalen. Kështu pritet të kenë edhe nga një ose dy përforcime të tjera me fokusin në mesfushë dhe sulm.

Deri tani klubi ka prezantuar Skukën, Isgandarlin, Martinezin, Garcian, Da Silvën, Hjumen dhe Nondin. Ky i fundit do të mungojë për disa muaj për shkak dëmtimi, çfarë dhe ka detyruar drejtuesit të kërkojnë një tjetër opsion në mesfushë. Doumbia shihet si alternativë, ndërsa pritet të zyrtarizohet ditët në vijim. Në sulm, ka pasur lëvizjet më të shumta.
Te Partizani megjithatë me siguri do të ketë edhe të paktën një emër shtesë. Kështu do të shtohet konkurrenca dhe do të sigurohen alternativa në një sezon të ngarkuar. Objektivi mbetet i qartë, përfaqësim sa më dinjitoz në kampionatin ku vlera e skuadrave në treg është rritur.
Merkato mbetet ende e hapur dhe lëvizjet e radhës pritet të përcaktojnë përfundimisht si do të jetë Partizani i Milinkoviç. Me afrimin e Doumbias dhe me të paktën dy emra të tjerë, Partizani do të kishte grupin më të plotë të mundshëm.
PANORAMASPORT.AL













