Ish-drejtori i Flamurtarit: Ribaj prestigjator, po na nxjerr lepurin nga kapelja. Të përfitojmë nga Dinamo
Vangjel Laluci, një nga zërat kritikë, por gjithmonë për të ndihmuar Flamurtarin, me mendime dhe opinione, për të justifikuar investimin e madh të drejtuesve, ka mbetur i kënaqur pas fitores me Egnatian. Për “Panorama Sport”, Laluci thekson se skuadra duhet të japë gjithçka në këto pak sfida të mbetura.

“Është ndër të paktat ndeshje për të mos thënë e vetmja që mua më pëlqeu në tërësinë e saj si ndeshje. Egnatia kishte edhe disa mungesa por edhe ato janë pjesë e lojës. Loja ishte përgatitur edhe në planin taktik edhe në modul. Ne kemi luajtur sikundër nuk kemi luajtur deri më tani. Edhe treshja e mesfushës ishte në trekëndësh shumë afër dhe ajo dha rezultat. Duke pasur Ememe dhe Bintsukën, por fati ne na buzëqeshi se mbrojtësi i tyre i majtë ishte shumë i dobët. Ememe ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Edhe goli që shënoi ishte model. Ne nuk kishim më se çfarë të humbitnim. Ne jemi në ato kushte tani që duhet të japim gjithçka për gjithçka”, shprehet fillimisht Laluci.
PËR TRAJNERIN – Ish drejtori i klubit, Vangjel Laluci përgëzon trajnerin Andi Ribaj për mënyrën e lojës. Sipas tij ndeshja ishte përgatitur mjaft mirë. Me batutë Laluci e cilëson Ribajn si një “prestigjator që bën magji”. “Unë them se kjo nuk ishte rastësi. Andi e kishte përgatitur mjaft mirë ndeshjen. Duhet që të njohim edhe meritën e trajnerit në këtë rast. Ai ka meritë se e ka punuar ndeshjen. Ne ndoshta na duket se Andi po luan rolin e prestigjatorit dhe po na nxjerr lepurin nga kapelja, me lëvizjet. Unë uroj që të jetë kështu deri në fund, le të “nxjerrim lepurin nga kapelja”, boll që të qëndrojmë në Superiore”, shprehet ish-drejtori.
ME DINAMON – Vangjel Laluci komenton edhe ndeshjen me Dinamon që do të luhet të hënën. Ai thotë se janë të gjitha mundësitë për ta fituar takimin pasi kundërshtari nuk është më ai i fillimsezonit. “Në ndeshjen me Dinamon ne e kemi mundësinë, duke pasur parasysh edhe ndeshjet që kemi bërë me atë kundërshtar por edhe situatën aktuale që po kalon. Nuk është më Dinamo që kemi parë në fillim të kampionatit. Ndeshjet e fundit, por edhe Tiranën ka pasur shumë oshilacione. Nga ky moment ne duhet të përfitojmë. Nuk kemi rrugë tjetër, na duhet fitorja”, përfundon Laluci.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













