Interesimi për Champions-in, Egnatia me stadiumin plot ndaj islandezëve
Rrogozhina po jeton një nga momentet më të rëndësishme në historinë e saj sportive. Të martën në mbrëmje, më 8 korrik, ora 21:00, “Arena Egnatia” do të presë një ndeshje që mbart emocion, krenari dhe sfidë në të njëjtën kohë.
Egnatia përballet me Breidablikun në turin e parë të Ligës së Kampioneve dhe i gjithë qyteti është vënë në këmbë për ta përjetuar nga afër këtë ngjarje historike. Për herë të parë, Rrogozhina do të ketë mundësi të mirëpresë një ndeshje ndërkombëtare ku luan ekipi i qytetit që përfaqëson, ndaj kjo e martë është perceptuar si një ditë feste në këtë qytet në qendër të Shqipërisë.
STADIUMI “SOLD OUT” – Stadiumi modern i qytetit, me një kapacitet prej afro 5 mijë vendesh, pritet të jetë i mbushur deri në vendin e fundit. Interesi është i jashtëzakonshëm dhe të gjitha biletat janë drejt ezaurimit, ku mësohet se ajo përkarshi është shitur e gjitha. Qytetarë nga Rrogozhina, por edhe nga zonat përreth, kanë siguruar vendet e tyre për të qenë pjesë e spektaklit që do të shpaloset në mbrëmjen e së martës në “Arena Egnatia”. Madje, pritet që interesim të ketë edhe nga tifozë rrogozhinas jashtë vendit, të cilët kanë planifikuar që të marrin pushimet nga vendet ku jetojnë, që të jenë në Rrogozhinë pikërisht ditën e nesërme.
ATMOSFERA – Mund të thuhet se atmosfera në qytet ka arritur kulmin, ndërsa çdo bisedë në kafene apo rrugë ka në fokus vetëm një emër: Egnatia. Klubi që ka ecur me hapa të sigurt vitet e fundit në elitën e futbollit shqiptar, tashmë është gati të shkruajë historinë edhe në arenën europiane. Banorët e qytetit ndihen krenarë dhe të përfshirë emocionalisht. Ka një ndjesi kolektive që kjo ndeshje nuk është vetëm për Egnatian si klub, por për të gjithë komunitetin e Rrogozhinës që ka mbështetur ekipin në çdo hap të rrugëtimit. Përtej sportit, ajo që ndodh të martën në mbrëmje është një dëshmi e fuqisë së bashkimit për një qëllim të përbashkët. Egnatia ka arritur të jetë motiv krenarie për qytetin, ndërsa ndeshja ndaj Breidablik nuk shihet vetëm si një duel për të kaluar më tej, por si një moment që mund të shndërrohet në legjendë për klubin dhe qytetin. Rrogozhina është gati. E gjithë vëmendja është e përqendruar tek “Arena Egnatia”, aty ku sporti dhe historia takohen në një 90- minutësh të paharrueshëm. Dhe në fund, çfarëdo që të ndodhë në fushë, një gjë është e sigurt: kjo ndeshje do të kujtohet gjatë si nata kur një qytet i tërë besoi te mrekullia europiane.
SITUATA – Trajneri Edlir Tetova e nis këtë sfidë historike në kushte optimale, me një grup të plotë dhe pa asnjë mungesë për shkak dëmtimi apo pezullimi. Stërvitjet e fundit kanë treguar një skuadër të karikuar fizikisht dhe moralisht, me lojtarë që po konkurrojnë fort për një vend në formacionin titullar. Ky është një luks për stafin teknik, që mund të zgjedhë mes alternativave cilësore në çdo repart. Ekipi ka përfituar nga një fazë përgatitore intensive, e cila ka ndihmuar në rritjen e formës dhe automatizmave në lojë.
Futbollistët me eksperiencë, si dhe afrimet e reja, kanë treguar sinjale pozitive dhe janë integruar shpejt në grup. Klima brenda skuadrës është pozitive, me një grup të bashkuar dhe të vendosur për të dhënë maksimumin në një ndeshje që mund të përcaktojë rrjedhën e sezonit. Trajneri Tetova pritet t’i qëndrojë besnik filozofisë së tij: një ekip që kërkon të mbajë topin dhe të ushtrojë presion të lartë në zonën kundërshtare. Ai do të mbështetet te përvoja e disa prej lojtarëve kyç, por gjithashtu i ka dhënë sinjale të qarta grupit se vendin në fushë e fiton kush është më në formë. Egnatia do të zbresë në fushë për të fituar dhe jo për të pritur, duke sinjalizuar qartë se nuk ka frikë nga emri i kundërshtarit, por besim në vetvete.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













