“IN MEMORIAM”/ Shkrimi i fundit i Saimir Demit: Nga Rozafa te Brruti, vetëm histori tradhtie

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2025 | 9:51

“IN MEMORIAM”/ Shkrimi i fundit i Saimir Demit: Nga Rozafa te Brruti, vetëm histori tradhtie

NGA SAIMIR DEMI (20 MARS 2025)

Screenshot 2025-03-24 094450

Prej kohësh, ose për të qenë më korrekt, prej kohësh që nuk mbahet mend, një nga fjalët më të përdorura nga ne është… “tradhtia”. Ndoshta duke treguar me gisht njerëz të afërt, madje deri brenda sinoreve të familjes, na ngrihet adrenalina, na duket sikur jetojmë në aksion, vëzhgojmë dhe jemi të vëzhguar, pra vazhdojmë prej një jete të luajmë rolin dramatik të spiunit. Në fakt e kemi edhe trashëgim, pasi kështu jemi munduar të ngremë edhe një lloj shteti të munguar.

As që na shkon më në mendje që të ruajmë diçka të pastër, madje edhe diçka që është shumë e rëndësishme. Shumëkujt i zien koka si në një tenxhere me presion dhe logjika i ka mbetur në fund të enës dhe përvëlon. Edhe futbollin, dashurinë e këtyre 100 viteve të fundit, po mundohemi që brenda hapësirës Shqipëri-Kosovë ta zhveshim nga ndjenja të përbashkëta, nga i njëjti sadisfaksion që na lidh dhe ta mbajmë të paketuar në dy kuti indiferente, si të mos i shërbente më asnjë ndjenje.

Dikush ka tradhtuar tjetrin, ose të dy bashkë në të njëjtën kohë. Njerëz në moshë, rastësisht trajnerë (edukatorë), vazhdojnë të bëjnë ushtarakun fanatik, qoftë për një transferim të një futbollisti 20-vjeçar, nga përfaqësuesja e Kosovës U-21, te Kombëtarja A e Shqipërisë. Ata e ndiejnë veten shumë mirë me egërsinë e tyre të frikshme, ndërsa adoleshenti është tradhtari… Zoti na ruajt.

Kemi një jetë që ecim në ujëra të turbullta, pothuajse po prej kaq kohësh jemi vëllezërit më hipokritë të Globit, kaçakçe, ose edhe me ligj dhe episode tradhtie që të rrëqethin mishin i kemi ngritur në piedestal të trashëgimisë dhe i tregojmë me elegancë, si gjetje autentike për t’u mburrur. Çfarë përfaqëson legjenda e Rozafës, përveçse një supermodel tradhtie në një familje tonën…

Pasi u kthyem nga Europiani i Francës, skuadra ishte në dekadencë dhe duhej ndërruar. Kosova na mundi 3-0 në një miqësore dhe na e konfirmoi këtë gjendje të re. Në një intervistë me presidentin e FFKsë, Agim Ademi, më ka thënë se Kosova po kalon një periudhë të begatë dhe janë rreth 300 kandidatë në listën e pritjes së Përfaqësueses. Por si një njeri mendje hapur, asnjëherë nuk e frenoi një bashkëpunim konstant me FSHF-në në momente të mira dhe në vështirësi. Sa për të sjellë në vëmendje, ai në Prishtinë ishte një takim miqësor, ndërsa shpikjet tona si ndeshje vëllazërore, janë thjesht tradhti folklorike.

Atë ditë Zhegrova me shokë, dukshëm më superiorë se ne, jo vetëm që na mundën, të shoqëruar edhe nga entuziazmi ekstrem i njerëzve të shkallëve, por edhe na tallën, duke improvizuar herë pas here numra cirku nëpër cepa të fushës. Ndërsa tani i kanë vënë një tabelë qitje mu në gjoks të një fëmije, luajnë me emrin e tij Etnik dhe ironizojnë me mbiemrin, duke i ulëritur të gjithë si Cezari.

Ai nuk është Brutus, por një talent nga fshati Brrut i komunës së Sharrit, një shqiptar i mirë dhe bir shqiptarësh po kaq të mirë. Kam dëgjuar se dy vëllezër, futbollist të rinj nga Kosova, kanë zgjedhur njëri të përfaqësojë Suedinë dhe tjetri Shqipërinë e Bushit. Quhen Bredford dhe Arbër Zeneli, ndërsa ky fakt më bëri shumë entuziast, pasi do të ketë edhe një herë dy Xhaka. Por lëre fare, se ky fakt që më entuziazmon, më bën edhe tradhtar edhe kokrrën e spiunit. Ndërsa për epilog dua të sjell për ndihmë Shtjefën Gjeçovin dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit të mbledhur prej tij.

Vetëm prifti i palodhur mund ta ndajë me ndershmëri, qoftë me pleqni, me ndërmjetës, me flamurtar, apo me bajrak të Gjonmarkajve, që në vitin 2025 ne mund të organizojmë evente prestigjioze futbollistike dhe mundësisht ata fëmijët të na i lenë rehat. Në fund të fundit, Gjeçovi u mundua shumë për Kushtetutën e tij antike që u quajt Kanun, qoftë edhe për të minimizuar sa mundte përdorimin e fjalës “tradhtar”.

Pas inaugurimit të stadiumit të ri “Air Albania”, Shqipëria fitoi të drejtën e finales së parë të Conference League, Fejnord-Roma, që u fituar nga skuadra e Murinjos. Dhe ky ishte vërtet sukses. Tani kemi përpara organizimin e Euro U17, për të cilën po bëhet një punë e jashtëzakonshme, kryesisht në infrastrukturë. Dhe në verë do të jetë Euro U-21, por që e organizojmë bashkë me r.

Tani po që jemi aq tradhtar, saqë nëse kjo do të ndodhte në Francë, padyshim që do të kishin nxjerrë nga muzetë gijotinat. Nga kudo vijnë thirrje për bojkot, pasi do t’i detyrojnë futbollistët të luajnë me Serbinë, ndërsa ata do të luajnë për qejf në shtëpinë e tyre, madje do të shijojnë edhe finalen e Tiranës, pavarësisht nëse do të jenë ose jo në fushë. Ka mundësi që dikur atje në kala, për dhjetë tulla murosën një grua, ndërsa legjenda u zhvillua që ne të përbuznim e ofendonim me fjalët më të rënda njëri-tjetrin pa ndier kurrë lodhje, që prej kohëve kur nuk kemi pasur as histori.

“In memoriam”/ Lamtumirë, “stilisti” i fjalës Saimir Demi!

 

Mesditën e së dielës, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare, Saimir Demi, një ndër gazetarët më të mirë të Shqipërisë. Pjesë e RTSH-së, gazetari, kolegu, miku Demi ishte një emër i njohur i gazetarisë sonë. Prej më shumë se tri dekadash punonte në shtypin e shkruar sportiv, televizione, si dhe kishte mbajtur poste drejtuese në media për disa vite.

Saimiri dha një kontribut të paçmuar në gazetarinë shqiptare, pasi konsiderohej “stilisti” i fjalës dhe me “estetikë” të rrallë. Një stil që zor se përsëritet në gazetarinë e shkruar dhe një humbje e madhe për vendin dhe shoqërinë. Një javë më parë folëm në telefon. Më “ngrohu” zemrën, sepse pas shumë kohësh i dëgjova zërin. Ishte i gatshëm për të shkruar, ndonëse ndodhej në spital.

Shkrimi nuk vonoi. Erdhi edhe i dyti, dhe i treti, i fundit i shkruar prej tij me titull: “Nga Rozafa te Brruti, vetëm histori tradhtie”, që “gazeta” e kishte planifikuar ta botonte në numrin e sotëm, pikërisht në prag të ndeshjes me Andorrën.

Një shkrim i fundit i tij, që është “epilogu” i një karriere të gjatë, e cila u mbyll para kohe të dielën e 23 marsit 2025, duke u lënë një boshllëk të madh gruas, djalit, nënës, familjes, kolegëve dhe shoqërisë. “Panorama Sport” i shpreh ngushëllimet familjes Demi për ndarjen nga jeta para kohe të njeriut të dashur. Të qoftë dheu i lehtë, Saimir Demi!

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL