“Heroi” i Korabit në fitoren ndaj Kastriotit, Tepshi: Golin ia dedikoj prindërve dhe trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2026 | 15:29

“Heroi” i Korabit në fitoren ndaj Kastriotit, Tepshi: Golin ia dedikoj prindërve dhe trajnerit

Korabi do të udhëtojë drejt Pogradecit dhe në kampin dibran janë marrë të gjitha masat për të synuar një rezultat pozitiv. Në javën e fundit, në përballjen ndaj Kastriotit, Rigel Tepshi ishte “heroi” i dibranëve, pasi me golin e tij u siguroi tri pikë “të arta” ekipit të Korabit në një moment shumë të rëndësishëm.

rigel tepshi, korabi 25-26

22-vjeçari nga Durrësi, i aktivizuar në 13 ndeshje gjatë këtij sezoni me Korabin, arriti të shënojë golin e parë në kampionat dhe të dytin sezonal, pasi një tjetër e kishte realizuar në Kupën e Shqipërisë. Në atë përballje me krutanët ai u shpall edhe lojtari i ndeshjes, duke u shfaqur mjaft i lumtur për paraqitjen. Futbollisti, i formuar në akademinë e Teutës, u aktivizua me ekipin e parë që në moshën 19-vjeçare për dy sezone, përpara se t’i bashkohej Korabit. Pas ndeshjes, fillimisht me shaka, Tepshi u shpreh: “Më kërkon trajneri që unë të shënoj”, duke konfirmuar paraqitjen e mirë me fanellën e Korabit dhe rikthimin te goli pas realizimit në Kupë.

“Përpiqem gjithnjë të gjej hapësirën e duhur dhe të shënoj. Këtë ma kërkon shpesh trajneri, megjithëse mua më pëlqen të rrezikoj sa më shumë mbrojtjen kundërshtare. Këtu te Korabi më pëlqen shumë, sepse më kanë dhënë shumë mundësi dhe skuadra luan shpejt e saktë me topin, por mbi të gjitha bën shumë presing në mesfushë. Ndaj Kastriotit ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne, pasi për një kohë të gjatë nuk mundëm të dilnim në lojën tonë, sepse kundërshtari luajti mirë dhe ishte shumë i fortë”, tha Tepshi për takimin e zhvilluar në Peshkopi.

Pogradeci- Duke folur për sfidën e radhës ndaj liqenorëve, ai shtoi: “Pogradeci është një tjetër kundërshtar i fortë dhe përsëri do ta kemi të vështirë, aq më tepër në transfertë. Gjithsesi, ne do të mundohemi të japim maksimumin dhe të përkushtohemi që të dalim me një rezultat pozitiv”.

Dedikimi- Ndërsa për golin e tij të parë në kampionat, sulmuesi u shpreh: “Ishte një gol i vështirë dhe arrita të shfrytëzoj hapësirën që m’u krijua për ta shtyrë topin drejt rrjetës. Nuk kisha tjetër variant veçse të shënoja, pasi ishin minutat e fundit. Sigurisht që gëzimi im ishte i madh, jo vetëm pse realizova, por sepse i dhashë skuadrës tri pikë të vlefshme në momentin e duhur. Dedikimi im është për prindërit e mi dhe për trajnerin Alfred Deliallisi, të cilit i pata premtuar se do të shënoja”.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL