“Hakmarrje” në Kukës, Korabi sfidon rivalin në derbi. Morina: Shlyejmë humbjen e fundit, shënoj dhe fitojmë
Korabi do të udhëtojë këtë fundjavë drejt Kukësit për një përballje që konsiderohet si një miniderbi, për shkak të afërsisë gjeografike dhe rivalitetit të krijuar mes dy skuadrave. Kjo do të jetë përballja e tretë mes tyre në këtë sezon, teksa bilanci deri tani është i barabartë, një fitore 1-0 për dibranët në Peshkopi dhe një triumf 4-2 për Kukësin në fushën e vet.

Pikërisht kjo e fundit mbetet një plagë e hapur për Korabin. Në atë ndeshje të fazës së dytë, të luajtur në Kukës, dibranët e mbyllën sfidën me 9 lojtarë, pasi Serxho Xhika dhe Irdi Morina u ndëshkuan me karton të kuq në momentin kur rezultati ishte 2-2. Më pas, vendasit përfituan dhe siguruan fitoren 4-2, duke lënë shumë polemika dhe pakënaqësi në kampin mik. Këtë herë, Korabi shkon në Kukës me një mision të qartë, të marrë pikët dhe të “shlyejë hesapet” e asaj humbjeje. Në prag të sfidës që do të luhet të dielën në “Kukës Arena”, në orën 15:00, atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, me një numër të madh tifozësh në tribuna dhe pa asnjë tolerim në fushë. Një nga protagonistët që pritet të bëjë diferencën është sulmuesi 21-vjeçar, Irdi Morina, i cili ka dhënë sinjale të qarta për objektivin e ekipit. “Askush nuk do të tolerojë në këtë ndeshje.
Në fazën e dytë na është marrë ‘haku’ padrejtësisht. E mbyllëm atë takim me 9 lojtarë dhe më pas e humbëm. Këtë herë do të luftojmë fort, jo vetëm për ‘hakmarrje’, por edhe për të siguruar vendin e gjashtë që na çon në zonën ‘play-off’. Do të japim maksimumin për të marrë tre pikët dhe kam besim se do t’ia dalim”, u shpreh Morina për “Panorama Sport”. Sulmuesi, i ardhur këtë sezon nga Egnatia, ka qenë një nga pikat më të forta të Korabit, duke zhvilluar 23 ndeshje dhe shënuar 5 gola, ndërsa në tre raste është shpallur edhe lojtari më i mirë i ndeshjes. Kështu, gjithçka është gati për një përballje të fortë dhe të luftuar, ku përveç krenarisë lokale, në lojë janë edhe objektiva të rëndësishëm për renditjen. Korabi kërkon hakmarrje dhe vazhdimësi drejt “play off”-it, ndërsa Kukësi synon të konfirmojë forcën në shtëpi dhe të ruajë epërsinë në këtë duel rivalësh.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













