Gvozdenoviç llogarit fitoren ndaj “demave”: Na presin 6 finale, e nisim nga Partizani
Elbasani kërkon pat jetër rikthimin te fi torja në kampionat, teksa sot në “Elbasan Arena” do të presë skuadrën e Partizanit. Një përballje që në kampin verdheblu vlerësohet maksimalisht, aq më tepër duke ditur se duelet mes këtyre dy ekipeve këtë sezon kanë qenë gjithmonë të forta dhe shumë të luftuara. Në daljen para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shpreh optimist për këtë sfidë, duke theksuar se skuadra është e përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje të rëndësishme.

“Fillimisht dua të uroj për Pashkët, gëzuar të gjithëve që i festojnë. Më pas, kemi përballë një skuadër si Partizani, shumë të mirë dhe të fortë, që po kalon një formë të mirë. Kjo është një ndeshje derbi dhe kërkon përqendrim maksimal. Skuadra është pothuajse e plotë, përveç mungesave të Lulajt dhe Janaçek, që janë të dëmtuar prej disa javësh. Me Partizanin kemi pasur gjithmonë përballje të forta dhe besoj se edhe këtë herë do të jetë një ndeshje e tillë. Detyra jonë është të japim maksimumin në fushë dhe të dalim me një rezultat pozitiv”, deklaroi tekniku.
MORALI – Barazimi në kupë ndaj Egnatias ka ndikuar pozitivisht në rritjen e moralit të skuadrës. Megjithatë, Gvozdenoviç thekson se ekipi i tij nuk ka vuajtur asnjëherë nga aspekti psikologjik, madje as pas humbjes në kampionat ndaj Dinamos javën e kaluar. “Jemi shumë mirë në këtë aspekt. Edhe pas ndeshjes me Dinamon isha i qetë, sepse kam një grup të fortë dhe me karakter. Djemtë reaguan shumë mirë ndaj Egnatias në kupë dhe kjo na jep besim për vazhdimin. Tani kemi një tjetër ndeshje në kampionat, me objektiva të qarta dhe ambicie të mëdha. Jemi gati fizikisht, taktikisht dhe emocionalisht. Presim një atmosferë të bukur, sidomos me mbështetjen e tifozëve tanë”, shtoi ai.
ECURIA – Në fund, trajneri bëri një bilanc të ecurisë së deritanishme të skuadrës, duke e cilësuar pozitive, por njëkohësisht kërkoi përqendrim maksimal në javët e mbetura të kampionatit. “Deri tani mund të them se kemi bërë një punë të mirë. Natyrisht, çdo skuadër mendon se mund të kishte bërë edhe më mirë, por kampionati është shumë i fortë dhe konkurrues. Na presin edhe gjashtë javë të vështira, ku çdo pikë ka rëndësi të madhe. Duhet të vazhdojmë me përkushtim maksimal dhe të marrim ndeshjet njëra pas tjetrës”, përfundoi Gvozdenoviç. Ndeshja ndaj Partizanit do të luhet në orën 19:00 në “Elbasan Arena”, ku pritet një interesim i madh nga tifozët. Klubi ka bërë të ditur se hyrja për femrat do të jetë sërish falas, një nismë që synon të rrisë praninë në stadium dhe të krijojë një atmosferë sa më të zjarrtë në mbështetje të skuadrës vendase.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













