Goli që shënoi nga mesfusha bëri xhiron e rrjetit, Zeqiraj: Nuk ishte rastësi në Pogradec, Korabi gati për Laçin
Korabi po mbyll përgatitjet për duelin rëndësishme që do të luajë në fushën e vet ndaj Laçit. Dibranët synojnë të rikthehen të shtunën te rezultatet pozitive, edhe pse përballë do të kenë një nga skuadrat më të forta të këtij sezoni. Duke parë forcën e kundërshtarit, edhe një barazim ndaj kurbinasve do të konsiderohej një rezultat pozitiv për Korabin.

Në prag të kësaj sfide, në radhët e dibranëve vazhdon të flitet për një moment të veçantë të këtij sezoni, golin spektakolar nga mesfusha të shënuar nga 22-vjeçari Juxhino Zeqiraj në Pogradec. Një gol që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, por Zeqirajn tregon se nuk është hera e parë që realizon gola spektakolarë nga distanca. Gëzimi i tij në ndeshjen ndaj Pogradecit ishte edhe më i madh, pasi këtë herë goli u quajt i rregullt dhe u zyrtarizua. Sezonin e kaluar, kur ishte pjesë e Valbonës, ai realizoi një gol të ngjashëm në Burrel, por u anulua për pozicion jashtë loje. Një tjetër gol ndaj Pogradecit, kur ishte pjesë e Valbonës, erdhi nga rreth 35 metra, ndërsa një realizim tjetër mbresëlënës e ka shënuar ndaj Lushnjës nga afro 40 metra në Tropojë. “Nuk është hera pa që bëj gola të tillë, por kësaj radhe u quajt”, u shpreh Zeqiraj.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi, i cili deri tani është aktivizuar në 20 ndeshje kampionati dhe ka realizuar vetëm një gol, ka folur edhe për sfidën e nesërme ndaj Laçit. “Korabi ka një grup futbollistësh shumë cilësorë dhe konkurrenca brenda skuadrës është shumë e fortë. Kjo skuadër nuk mendon vetëm për mbijetesën, sepse me sakrificat që kemi bërë kemi treguar se mund të synojmë edhe objektiva më të mëdha. Synimi ynë është zona ‘play off’, por në fillim të fazës së tretë na është dashur të përballemi me disa nga ekipet më të forta të kampionatit dhe rezultatet tona kanë qenë të pakta. Po përpiqemi të jemi më të qetë para ndeshjeve, të kemi më shumë besim te njëri-tjetri dhe të ruajmë një mentalitet pozitiv. Vetëm kështu mund të arrijmë një rezultat pozitiv edhe në këtë përballje të vështirë ndaj Laçit”, përfundoi mbrojtësi i Korabit, Juxhino Zeqiraj.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













