Godet Flamurtari, merr Erjon Vucajn
Erjon Vucaj është zyrtarisht lojtar i Flamurtarit. Shkodrani, deri dje kapiten i Lacit, skuadër me të cilën luajti disa sezone dhe spikati, ka firmosur një kontratë dyvjecare me kuqezinjtë e Vlorës, duke qenë kësisoji një përforcim i spikatur për skuadrën e drejtuar nga Ernest Gjoka. Drejtuesit e rinj të bregdetarëve kanë bërë një goditje pikante, duke mbushur shpejt boshllëkun e lënë nga largimi i Hair Zeqirit për te Kuksi. Vucaj pritej të kalonte në kampionatin polak të futbollit, në fakt, por në momentet e fundit ka zyrtarizuar akordin me Flamurtarin, që një ditë më parë prezantoi edhe sulmuesin brazilian, Gilberto. Pra, kuqezinjtë kanë përmbushur edhe një dëshirë disavjeçare të tyre, pasi emri i Vucajt është lakuar gjithmonë te Flamurtari, por jo vetëm. Edhe Partizani i dëshironte shërbimet e shkodranit, por si duket oferta financiare e drejtuesve të skuadrës vlonjate e kanë bindur Vucajn të stacionohet në bregdetin e Jonit në vijim të karrierës. Kujtojmë se me bardhezinjtë e Laçit, Erjon Vucaj fitoi statusin e beniaminit të tifozerisë, duke qenë lideri i padiskutueshëm në arritjet historike të klubit kurbinas, siç është fitimi i Kupës së Shqipërisë në 2013, por edhe sigurimi i pjesëmarrjes në “Europa League” dy sezone, falë pozicionimit në vendin e tretë në kampionat.













