“Gjendje e rëndë, Bellai e Nora dhanë lekë nga xhepi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2013 | 13:33

“Gjendje e rëndë, Bellai e Nora dhanë lekë nga xhepi”

Bellai ArjanDritan Kristidhi e shikon alarmante situatën te Luftëtari. Ish-trajneri i portierëve bluzi, i cili u shkarkua vetëm dy javë më parë, jep detaje të problemeve në skuadër, teksa thekson se ekipi rrezikon rënien në Kategorinë e Dytë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, përgatitësi aktual i portierëve te Kombëtarja U-17 e Shqipërisë akuzon drejtuesit e klubit gjirokastrit.
Dritan, ju jeni shkarkuar nga posti i trajnerit të portierëve të Luftëtarit. Çfarë arsyesh ju kanë dhënë?
Në ditën kur kam mësuar shkarkimin, unë nuk kam qenë fare në Gjirokastër, pasi jam i angazhuar këtë periudhë me ekipin kombëtar U-17, ku prej dy vitesh bëj detyrën e trajnerit të portierëve. Si duket, dikush ka shfrytëzuar rastin për ta bërë këtë ose nuk ka pasur kurajën të ma thoshte në sy.
Jeni i zhgënjyer për këtë vendim të klubit?
Sigurisht që ndihem i zhgënjyer dhe mjaft i fyer, pasi kam punuar me mish e me shpirt për ekipin e zemrës. Gjithsesi, unë jam krenar që pas më shumë se 10 vitesh, sot Luftëtari ka në portë një gjirokastrit si Mihal Thano, që është me shumë të ardhme. Kam dhënë maksimumin tim, por në një ditë të bukur, kur unë isha pranë Kombëtares, erdhi edhe lajmi për shkarkimin absurd.
Si e shpjegoni situatën aktuale në skuadër?
Unë mbështes deklaratat e ish-kolegëve të mi, Arian Bellai dhe Neritan Novi, për situatën që kemi kaluar te Luftëtari në këtë periudhë. Do ta quaja si gjendjen më të turpshme në klub, për aq kohë sa kam qenë pjesë e Luftëtarit si futbollist apo në vitet e fundit si trajner i portierëve. Që nga fillimi i sezonit dhe deri më tani, kemi marrë vetëm premtime boshe. Është e rëndë ta them, por ish-trajneri Arian Bellai dhe shefi i klubit, Arlind Nora, kanë dhënë lekë nga xhepi i tyre për të mbajtur gjallë skuadrën në këtë periudhë të zezë. Ata kanë ndihmuar lojtarët, të cilët me të drejtë kërkonin të shlyheshin sipas kontratës së nënshkruar. Më dhemb kjo gjendje dhe është turp ku u katandis ekipi, pasi edhe dietat nuk paguheshin. Është turp, por në kthimet për Gjirokastër nga transfertat lojtarët janë detyruar t’i paguajnë darkat nga xhepi i tyre nëpër restorantet që shkonim.
Në dështimin e deritanishëm gjithçka u faturohet financave, apo ka pasur diçka tjetër që nuk shkonte në këtë periudhë?
Natyrisht, në rezultatet që u morën në këto shtatë javë, nuk mund të dalim jashtë përgjegjësisë edhe ne si staf teknik. Kur një ekip shkon keq, të gjithë kanë pjesën e vet të fajit. Përveç problemeve financiare, mund të them se nuk ka qenë ajo pritshmëri nga ana jonë si staf teknik për lojtarët e ardhur gjatë merkatos. Ata kanë zhgënjyer deri më tani.
Si e shikoni tashmë të ardhmen e Luftëtarit?
Pa u zgjidhur problemi financiar, Luftëtari rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë. Gjendjen e shikoj shumë të rëndë dhe sa s’është vonë, drejtuesit duhet të ndërhyjnë. Unë e thashë edhe më lart, ekipi ka qenë pa mbështetje që para se të niste sezoni. Unë presidentin e klubit nuk e kam parë asnjëherë në stadium në këtë periudhë, qoftë për të vëzhguar ekipin në stërvitje apo për të parë ndeshje. Nuk ka pasur asnjë interesim për skuadrën nga ai dhe gjithçka është më se e kuptueshme për situatën. Vullneti për t’i rregulluar gjërat mungon, pasi te Luftëtari nuk ka pasur kurrë një krizë kaq të madhe. Shpesh gjërat janë zgjidhur nëpërmjet ndërhyrjeve të biznesmenëve, pra është gjetur mënyra.
BESAR BOZGO