Gati për Dinamon, rezervat dhe të rinjtë marrin “skenën” te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2025 | 20:23

Gati për Dinamon, rezervat dhe të rinjtë marrin “skenën” te Partizani

Partizani mbyll sot përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij sezoni, atë kundër Dinamos, që do të përcaktojë vendet 3 dhe 4 të “Final 4” dhe gjithë Superiores së këtij sezoni.

partizani

Praktikisht, kjo ndeshje nuk ka asnjë vlerë për përcaktimin e fateve të të dyja skuadrave, pasi të dyja kanë dalë nga gara për titullin dhe nga ana tjetër janë kualifikuar në Ligën e Konferencës. Nisur nga rëndësia e ulët e kësaj sfide, pritet që Partizani të aktivizojë një pjesë të madhe të të rinjve dhe lojtarëve që nuk kanë luajtur rregullisht me Gegën në këto javë.

Kështu, me shumë mundësi pritet t’u jepet mundësia emrave si Himallari, Malaj, Vujnoviç, Osmanllari apo të tjerë, që deri më tani kanë qenë në hije. Sa u përket lojtarëve të pankinës, aktivizimi në këtë ndeshje mund të konsiderohet edhe si një mundësi e fundit për të treguar veten. Kjo javë në klubin e kuq ka qenë e qetë, por pas saj pritet të nisë një seri ndryshimesh sa i përket organikës.

Një numër jo i vogël lojtarësh pritet të largohen, për të liruar vend dhe financa për afrime të tjera, që pretendohet se do të ringjisin Partizanin në rrethin e vogël të më të fortëve të futbollit shqiptar. Indicet e para na shtyjnë drejt tregut italian, aty ku drejtori teknik, Sokol Haxhia, ka shtrirë karrierën e tij të mëparshme dhe ka arritur të krijojë lidhjet e tij edhe me persona të rëndësishëm në futbollin përtej Adriatikut.

PANORAMASPORT.AL