Garancia vjen nga akademia, Bylisi ka 35 lojtarë me kontratë
Bylisi vazhdon stërvitjet në qytetin e Ballshit, edhe pse kampionati ka përfunduar, por jo me grup të plotë lojtarësh.

Janë larguar drejt shteteve të tyre një pjesë e lojtarëve të huaj, nga ata të cilët janë nën kontratë, si dhe të tjerë që nuk janë nën kontratë. Portieri Batista, Da Silva, Ilieski, Berko e Mustafa janë të parët që kanë nisur pushimet.
Pjesa tjetër janë duke u stërvitur në Ballsh, ndërsa skuadra mallakastriote ngriti një tjetër trofe me ekipin B, që u ngjit në Kategorinë e Dytë, duke siguruar edhe titullin kampion në të Tretën. Pjesa tjetër e lojtarëve janë duke u përgatitur, pasi ekipi U-21 ka ende ndeshje ende për të luajtur, me Elbasanin dhe Apoloninë.
Ndaj janë disa lojtarë, si: Beqaj, Përndreca, Marku, Igor, Mici, Bruno, Ualison, Mahmuti, Sulovari, Akibu, Diallo, Koxhi, Alao, Baçi, Abazaj, Kamara, Malomo, Përgjoni, Ruçi, Peralta, Kane, Papa etj. Pritet që skuadra të stërvitet deri në fund të këtij muaji dhe më pas do të marrë pushimet, për t’u grumbulluar sërish në fillimin e korrikut, për të nisur përgatitjet për sezonin 2025- 2026. Ganezi Ofori është grumbulluar sërish nga Gana U-20, ku është edhe kapiten. Ai do të rikthehet në Ballsh, me shumë mundësi, vetëm kur të nisë faza përgatitore.
HUAZIMET – Siç dihet, Bylisi huazoi disa lojtarë në skuadra të ndryshme të Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Te Tomori kaluan disa emra si: Oulare, sulmuesi 20-vjeçar dhe goleador te beratasit, apo dhe sulmuesi Hasan, pa harruar mesfushorin Ngene, apo Skënderajn e Buranelin e portierin Souza. Këta do të rikthehen në Ballsh dhe do të jenë pjesë e skuadrës së Parë, por edhe ekipit B në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë. Te ballshiotët garancia vjen edhe nga akademia, apo Bylis B dhe ekipi U-21. Krahas disa lojtarëve të ekipit të parë që janë ende nën kontratë, janë jo pak, por 35 lojtarë që do të jenë pjesë e klubit mallakastriot në vijim.
Kështu, mallakastriotët e nisin sezonin e ri me baza të sigurta. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kanë nisur ofertat prej kohësh në adresë të shumë lojtarëve të ekipit të parë, vendas dhe të huaj, sidomos ata që kanë spikatur në sezonet e fundit me Bylisin dhe që janë nën kontratë. Ndaj, Bylisi duket se do të jetë një treg i rëndësishëm për ekipet e kreut të Superiores, ndonëse presidenca po punon që t’i shesë jashtë, kjo edhe në dobi të lojtarëve që të tregojnë vlerat në kampionate të njohura të Europës apo në Ballkan.
Ashtu si në vitet e shkuara, gjatë merkatos së verës, është e sigurt që do të ketë hyrje-dalje në Ballsh, ndërsa synimet në kampionatin e ardhshëm në Superiore do të jenë ndryshe. Shpresohet që sezoni i ri të gjejë një Bylis më të konsoliduar dhe me pretendime më të larta.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













