FOTO/ Dje ishte e dukshme në Kategorinë e Parë, sot e ka radhën Superiorja. Kompanitë e basteve “tregojnë” fituesin pa filluar ndeshja
Kampionati shqiptar ka hyrë në periudhën më të nxehtë të tij ku fillojnë e jepen verdiktet e sezoneve, pro edhe në atë periudhën e famshme ku disa rezultate janë shumë të pritshme para fillimit të ndeshjeve. Dhe paralajmërimi si gjithmonë vjen nga kompanitë e basteve ndërkombëtare të cilat vendosin koeficiente absurde për ndeshjet e futbollit tonë.

Të shtunën kjo ndodhi me ndeshjet e Kategorisë së Parë, ku disa sfida kishin koeficiente qesharakë, siç ishin ato 1,1 të fitores së Lushnjes e Laçit, apo edhe më tepër atë 1,05 të Pogradecit. Duke parë ngjarjet në fushë në këto ndeshje, gjithçka shkoi sipas parashikimit të kompanive të basteve.

Dhe kompanitë ndërkombëtare të basteve sot kanë parashikuar që ndeshja e Kategorisë Superiore mes Vorës dhe Teutës, ajo që mbyll javën e 30, do të përfundojë me fitoren e vorakëve. Koeficienti për të në shumë kompani është ulur në vetëm 1,2, jashtëzakonisht i ulët duke llogaritur pozitat e dy skuadrave, formën që kanë apo objektivat. Një “parashikim” që vjen nga fluksi i basteve drejt një rezultati të caktuar, i cili në këtë rast është fitorja e Vorës.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













