FORMACIONI/ Rafael kthehet në dispozicion, te Tirana 4 titullarë rrezikojnë “finalet”
Tirana do të ketë një shqetësim plus në sfidën me Bylisin. Bëhet fjalë për katër lojtarë titullarë. Ata janë Selmani, Rafael, Prengaj dhe Meta. Të katërt janë me nga 3 kartonë të verdhë dhe nëse ndëshkohen edhe në sfidën me Bylisin, do të plotësojnë numrin 4 të ndëshkimeve. Kjo do të thotë se do të mungojnë në ndeshjen ndaj Elbasanit për javën e 32-të.

Meta gjithashtu është i dëmtuar, ashtu si edhe Ismajli, ndërsa në rrezik është edhe Ian Soler. Futbollisti spanjoll është dëmtuar dhe rrezikon që të mos luajë në sfidën që Tirana do të ketë me Bylisin për javën e 31-të të Kategorisë Superiore. Prej dy ditësh lojtari nuk stërvitet, ndërsa mësohet se ai ka një dëmtim që mund ta lërë jashtë edhe në ndeshjen e radhës së kampionatit, që luhet ditën e mërkurë me Bylisin. Numrit tre të të dëmtuarve në këtë ndeshje me Bylisin i shtohet edhe argjentinasi Luçiano Vera. Ky i fundit në Rrogozhinë u ndëshkua me kartonin e kuq dhe do të mungojë në këtë sfidë.

Shkëmbi për takimin me Bylisin pritet të bëjë disa modifikime në formacion. Edhe një herë tjetër do të shihet mundësia që Ndreca të luajë si mesfushor i djathtë, ndonëse gati është edhe Abah. Pjesa tjetër e ekipit nuk është se do të ndryshojë shumë nga sfida e fundit kundër Egnatias. Rafael do të jetë gati për takimin e së martës dhe, nëse braziliani kthehet, do të jetë një plus i madh për ekipin bardheblu.
Tirana në vitin 2025 është pak më mirë sesa në 2024-ën. Në 11 takime të luajtura, bardheblutë kanë grumbulluar 13 pikë. Skuadra kryeqytetase është e gjashta në renditjen për këto 11 javë që janë luajtur në 2025-ën. Më keq se ta kanë bërë, Elbasani, Partizani dhe Teuta, respektivisht me 12, 11 dhe 7 pikë.
PANORAMASPORT.AL













