Flamurtari “shfryn” me 9 gola para Tiranës, Laçi nuk gabon dhe gjen në Kupë ekipin që i tronditi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2025 | 12:09

Flamurtari “shfryn” me 9 gola para Tiranës, Laçi nuk gabon dhe gjen në Kupë ekipin që i tronditi

Flamurtari kualifikohet me goleadë për në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë, ku e pret Elbasani. Kuqezinjtë kanë mundur lehtësisht Tomorin, që mendjen e ka te kampionati i Kategorisë së Dytë, duke i shënuar plotë 9 herë në portë, me 4 në pjesën e parë dhe 5 në të dytën. Takimi u luajt në Orikum, pasi klubi vendosi që të ruante fushën e stadiumit të Vlorës, meqë i duhet të luajë dy ndeshje në shtëpi.

Screenshot 2025-11-19 120914

Trajneri Françesko Moriero, zgjodhi që në këtë takim, të bëjë rrotacion në formacion, duke u besuar futbollistëve që kanë marrë pak minuta, ndërsa binte në sy edhe grumbullimi i lojtarëve nga akademia, të cilët morën minuta, por edhe shënuan sikundër ishte Lushaj me dy gola. Pas shumë ndeshjeve në kampionat që ishte në stol, Ariol Kaloshi rikthehet titullar në portë. Binte në sy edhe aktivizimi si titullarë i Jankut, Ramanit dhe Oshafit. Nga ana tjetër edhe trajneri i Tomorit, Klodian Arbri duke mos e patur objektiv Kupën e Shqipërisë erdhi në qytetin bregdetar me të rinjtë.

NDESHJA

Flamurtari ka treguar “dhëmbët” qysh në minutat e para, ndërsa kundërshtari duket që është një skuadër e brishtë. Seria e golave do të hapej nga Ramirez në minutën e 29-të, i cili tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. 6 minuta më vonë, Murataj kroson për Oshafin që me kokë do të tregohej i saktë. Një minutë më vonë Ramirez shërben për Oshafin që brenda zonës shtynë në rrjet edhe të dytin personal. Me një gjuajtje në ecje e sipër, Ramirez do të mbyllte serinë e katër golave të pjesës së parë. Në nisje të pjesës së dytë, trajneri Moriero do të bënte tri zëvendësime, duke ulur në stol Çantakias, Muratajn dhe Oshafin, për të aktivizuar Telushin, Nunes, Diavaranë. 9 minuta nga nisja e këtij fraksioni, Ramirez do të vuloste tripetën personale për t’ia lënë vendin në vijim dy golavë të Baeten dhe dy të të riut Hetem Lushaj. Vlonjatët “habitën” me këtë shpërthim, por kuptohet edhe për meritë të kundërshtarit që kishte ardhur në Orikum më shumë për të respektuar garën. Kujtojmë këtu se edhe ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë vlonjatët e luajtën po në këtë stadium dhe e fituan me rezultatin 5-0, duke skualifikuar Naftëtarin me golat e Ememe, Murataj, Oshafit, Ramanit dhe Diavarasë. /Ermal Sika

Screenshot 2025-11-19 120543

Laçi eliminon Luftëtarin dhe gjen Bylisin në turin e tretë

Laçi i trajnerit Naxhi Shensoj ka bërë detyrën në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, duke siguruar kualifikimin, pasi mundi Luftëtarin me rezultatin 2-0. Takimi u zhvillua në kompleksin stërvitor të Vorës, në Ahmetaq, dhe kurbinasve u ka mjaftuar nga një gol për pjesë për të arritur objektivin. Me këtë kualifikim, Laçi do të përballet me Bylisin në turin e tretë, i cili gjithashtu luhet me një ndeshje teke dhe që do të zhvillohet në transfertë, në Ballsh. Laçi e kishte vlerësuar maksimalisht takimin, pasi trajneri Shensoj kishte zgjedhur titullarët, duke preferuar të mos rrezikonte dhe të mos e linte në dorë të rastësisë kualifikimin. Në krahun tjetër, Luftëtari, që vjen pas një periudhe të trazuar në pankinë dhe që këtë herë u drejtua nga trajneri provizor Arbër Bistri, e kishte mendjen te ndeshja e javës së 12-të të kampionatit në transfertë ndaj Korabit.

Trajneri Bistri bëri një rotacion të thellë në formacion, duke u dhënë prioritet të rinjve dhe lojtarëve që kishin luajtur më pak. Padyshim që Laçi ishte skuadra më diktuese në këtë sfidë dhe në minutën e 14-të kaloi në avantazh me Bibon, i cili realizoi saktë nga pika e bardhë e penalltisë. 1-0 u mbyll pjesa e parë. Gjirokastritët kishin ardhur për të respektuar garën duke ruajtur energjitë për sfidën e radhës në kampionat. Në pjesën e dytë të dy trajnerët kryen nga 4 zëvendësime, duke freskuar repartet përkatëse. Sërish Laçi ishte më këmbëngulës dhe kërkoi golin e qetësisë, i cili erdhi në minutën e parë shtesë të ndeshjes, kur Ajazi finalizoi duke vulosur përfundimisht fitoren dhe kualifikimin e kurbinasve në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL