Flamurtari plotëson stolin brenda javës, 4 kandidatë. Idrizi: Trajneri i ri, një emër që ka bërë mirë dhe keq
Flamurtari do ta ketë trajnerin e ri brenda kësaj jave. Rrethi është ngushtuar dhe tashmë në garë janë katër kandidatë, dy shqiptarë dhe dy të huaj. Sinan Idrizi konfirmon për “Panorama Sport” se kandidatët janë njerëz seriozë dhe se emri që do të përzgjidhet, do të jetë i dashur për tifozët.

Kreu i klubit thekson se po punohet për të konkluduar gjithçka, por pa nxitim. “Për trajnerin do të kemi zhvillime këtë javë patjetër. Ai që do të vijë, do të jetë një emër i dashur. Një emër që ka bërë mirë dhe kaq. Nuk po nxitohemi, por jemi drejt konkludimit. Me ata që po negociojmë, janë të gjithë njerëz seriozë. Janë të qartë për atë çfarë ne kërkojmë. Në listë janë dy të huaj dhe dy shqiptarë. Këtu është i gjithë problemi”, shprehet fillimisht Idrizi për gazetën.
ÇËSHTJA “DE BIAZI” DHE TARE
I pyetur për ish-trajnerin e Kombëtares, Xhani de Biazi, Sinan Idrizi nuk preferon që të komentojë gjatë. Presidenti i vlonjatëve thekson se italianin e ka takuar vetëm një herë, por nuk do të kursehej për ta sjellë atë te Flamurtari. “Me De Biazin jam takuar vetëm një herë në jetë. Ai është një emër i madh. Kush nuk e dëshiron që të vijë De Biazi në Vlorë. Është dëshirë e jashtëzakonshme. Për një emër të tillë nuk kursehem fare, por nuk kam folur për këtë pjesë“, thotë Idrizi. Numri një i Flamurtarit konfirmon takimin me Igli Taren, në fund të javës së shkuar. “Me Taren jam takuar, patjetër. E kam mik të vjetër“, shprehet presidenti i klubit vlonjat.
MERKATO DHE BUXHETI
Sinan Idrizi deklaron se do të rrisë cilësinë e kampionatit me buxhetin më të lartë në historinë e Superiores. Por apelon që kjo nuk do të thotë se klubi do të jetë bankomat i prishur. “Ne do të hyjmë në lojë që të rrisim cilësinë e kampionatit shqiptar. Këto investime që po bëjmë në infrastrukturë, nuk po i bëjmë kot për të zbukuruar stadiumin. Ne do të rrisim cilësinë e futbollit. Kur thashë që nuk do të kursehem në buxhet, nuk do të thotë se Flamurtari hapi thesin, nuk ka shanse. Kush janë lojtarët që kanë vlerën e tregut aty ku i takon, do të bëhen edhe më tepër se aq. Por kjo për këta që mendojnë se Flamurtari është një han me katër porta, që shkon për të marrë ca para dhe aq.
Nuk ka, është histori e mbyllur kjo. Unë thashë që do të kemi buxhetin më të lartë në historinë e Superiores dhe kjo është një temë tjetër. Por nuk do të thotë kjo që ne shtypëm bankomatin se nuk dimë çfarë të bëjmë me paratë. Ndaj thashë, ne kemi hyrë në treg, kemi folur, kemi bërë oferta, jemi në ‘pingpongun’ e merkatos dhe duam të bëjmë një superekip. Problemi është i thjeshtë. Ne do të rrisim shumë cilësinë e këtij Flamurtari. Të tjerat pastaj do t‘i shikojmë këto ditë. Këtë javë do të konkludojmë nga emri i trajnerit deri te fillimet e para të Flamurtarit”, përfundon Idrizi.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













