Flamurtari në sulm, Pepa dhe Shehaj japin garanci për golat: E mundim Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2013 | 13:00

Flamurtari në sulm, Pepa dhe Shehaj japin garanci për golat: E mundim Skënderbeun

Shehaj-KSulmuesit premtojnë jo vetëm pikët e plota ndaj Skënderbeut, por edhe gola. Brunild Pepa dhe Ardit Shehaj besojnë se do të arrijnë të bëjnë më të mirën për ekipin, duke shënuar sa më shumë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ata analizojnë këtë fillimsezoni, por edhe objektivat.
Pepa – I riu Pepa do të ketë një peshë të konsiderueshme mbi supe, pasi do të jetë edhe sulmuesi kryesor i ekipit. Ai thotë se do të bëjë më të mirën, duke premtuar një ekip ofensiv. “Do t’i shërbej ekipit me të gjithë forcën time. Unë kam bindjen se do të jemi në vendin e merituar sa i takon këtij sezoni. Personalisht besoj shumë te ky grup lojtarësh. Janë djem të rinj, të cilët dëshirojnë të punojnë, por nga ana tjetër ka edhe profesionistë që e realizojnë më së miri detyrën e tyre. Do bëj të pamundurën që të jap më të mirën time në fushë. Premtoj gjithashtu edhe shënimin e sa më shumë golave për t’i shërbyer ekipit për atë që ka më shumë nevojë, pasi ky Flamurtar e meriton”, – thotë fillimisht Pepa, i cili më pas ndalet te ndeshja që kuqezinjtë do të luajnë në fundjavë kundër Skënderbeut. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe kjo dihet. Luajmë kundër një ekipi të konsoliduar, por edhe Flamurtari ka vlera. Do përpiqemi të shënojmë kundër Skënderbeut, me qëllim që ne të arrijmë të dalim të fituar nga kjo përballje. Na duhet një trepikësh dhe them se në fund ne do të jemi të fituarit”, – shprehet lushnjari.
Shehaj – Sulmuesi tjetër i Flamurtarit, Ardit Shehaj, premton se do të bëjë më të mirën e tij gjatë këtij sezoni te Flamurtari për të arritur objektivat. “Unë jam rikthyer në Vlorë dhe ndihem shumë mirë, pasi jam në shtëpinë time. Pata oferta edhe nga ekipe të tjera, por unë erdha këtu sepse Flamurtari im ishte në një moment të vështirë. Nuk mund të vë bast se sa gola mund të shënoj, por të jeni të bindur që do të jap maksimumin tim”, – deklaron Shehaj. Sa i përket ndeshjes me Skënderbeun, ai e vlerëson si të vështirë, por jo të pamundur. “Një fitore ndaj Skënderbeut nuk është e pamundur. Asnjëherë në këto vite Skënderbeu nuk ka dalë i fituar nga Vlora dhe ne do t’i tregojmë edhe njëherë se cili është Flamurtari. Është një ndeshje që i ka të tria rezultatet, por ne do të synojmë vetëm trepikëshin. Besoni tek ne, edhe pse jemi të rinj”, – përfundon sulmuesi Ardit Shehaj, i cili te Flamurtari këtë sezon është së bashku me të vëllanë, Lorenc Shehaj.

Gjoka, këshilla lojtarëve për ndeshjen
“Kujdes nga Skënderbeu! Ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen”. Kjo është ajo çka u ka kërkuar trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, qysh në nisje të javës lojtarëve për ndeshjen e kësaj fundjave kundër korçarëve. Gjoka ka kërkuar që ata ta vlerësojnë takimin. “Duhet të jemi me sa më shumë karakter në fushë. Unë kam besim tek ju se mund t’ia dalim me një rezultat pozitiv në këtë takim. Shoh seriozitetin tuaj, të cilin do të dëshiroja që ta kishim edhe gjatë përgatitjes së kësaj ndeshjeje në këto ditë të mbetura”, – u ka thënë trajneri futbollistëve.